“Selfie”-t, një formë e re arti

31/03/2017 00:00

Galeria “Saatchi” në Londër ka hapur të premten ekspozitën “From Selfie to Self-Expression”, apo “Nga ‘selfie’-t te vetëshprehja”, që do të jetë edhe ekspozita e parë në botë që sjell historinë e “selfie”-ve.

Ekspozita çelet me Rembrandin, artistin holandez të shekullit të XVII, që ka lënë pas me dhjetëra autoportrete. Ato prezantohen në ekrane dixhitale, ku vizitorët mund të shtypin butonin “Like” dhe një zemër e kuqe shfaqet mbi imazh, pikërisht siç ndodh në mediet sociale.

“Selfie-t e ditëve moderne janë të ndryshme, sepse ato tregojnë sesi ne do të donim që të na shikonte bota, dhe jo ashtu siç jemi në të vërtetë”, thotë drejtori i galerisë “Saatchi”, Nigel Hurst.

Në epokën dixhitale, “selfie” është bërë i kudogjindshëm dhe fjala është shtuar edhe në fjalorët e Oksfordit në vitin 2013. E hapur deri në fund të majit, ekspozita përfshin “selfie” të futbollistit David Beckham dhe yllit të “reality show”, Kim Kardashian.

Madje në ekspozitë mund të shikohet edhe “selfie” i parë i një kafshe, më saktë një majmuni. Ekspozita mban edhe punime artistike të frymëzuara nga “selfie”-t. Artistja angleze Alison Jackson sjell personalitete si Mbretëresha e Britanisë, Elisabeth II, apo presidenti amerikan Donald Trump, në skena imagjinare.

Ekspozita mbyllet me një qëndrim kritik ndaj “selfie”-ve, me një instalacion të dy artistëve, një meksikan dhe një polak, të 12 kamerave të vëzhgimit. Sipas artistëve, “selfie”-t nuk janë një opsion. Ato po ekspozojnë gjithnjë e më shumë identitetin tonë, por më së shumti në kuptimin negativ, duke ravijëzuar një shoqëri kontrolluese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB