PPE, Basha: Media gënjeu! E thanë të vërtetën sipas prapanicës së Ramës

31/03/2017 00:00

Lulzim Basha tha në çadrën e protestës se kishte marrë mbështetje nga Partitë Popullore Europiane në Maltë për kauzën e opozitës. Por kreu i Partisë Demokratike e bëri këtë duke akuzuar mediet për keqinformim.

“I sapokthyer nga Malta dhe pasi kam dëgjuar brroçkullat e medieve qeveritare që interpretojnë siç iu do prapanica fjalët e aleatëve tanë. Dhe jo e tyrja, por e tij, sepse nuk ua mban t’i thonë jo, se i ka kapur prej fyti”, u shpreh Basha.

Top Channel raportoi të mërkurën dy lajme, në njërin prej të cilëve ishte deklarata e zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, që Shqipëria së paku do të duhet të mbajë zgjedhjet më 18 qershor dhe kërkesa që opozita të marrë pjesë në zgjedhje, jo t’i bllokojë ato.

Lajmi tjetër ishte miratimi nga Partitë Popullore Europiane i një rezolute që inkurajonte të gjitha forcat politike të Ballkanit Perëndimor të marrin pjesë plotësisht në proceset demokratike dhe insititucione në vendet respektive të tyre.

Top Channel tha se, “për kushtet e Shqipërisë, pjesëmarrja e plotë në proceset demokratike dhe insititucione është një referencë e qartë për Parlamentin dhe për zgjedhjet. Delegacioni i Partisë Demokratike nuk mori pjesë gjatë votimit të rezolutës, që vlerësoi si urgjente Reformën në Drejtësi dhe kërkoi forcimin e procesit të dekriminalizimit. Burime në delegacion thanë se mospjesëmarrja lidhej me takimet dypalëshe të kryetarit Basha.

Top Channel