Policia, me bashkinë kundër hashashit

31/03/2017 00:00

Edhe në zonat malore të kryeytetit, apo fshatrat e thela si Shën Gjergji, Bovilla, Zall-Bastari dhe Dajti, gjatë vitit 2016 nuk mungoi kultivimi masiv i kanabisit.

Por këtë vit synohet që ky fenomen të reduktohet në maksimum, falë edhe një bashkëpunimi më të mirë me Bashkinë e Tiranës.

“Ne kemi marrë përsipër që punonjësit e policisë të cilët mbulojnë territore larg pjesës së njësive administrative të jenë të atashuar pranë këtyre njësive. Kjo do të bëjë që puna jonë të jetë më pranë njëri-tjetrit dhe të punojmë më mirë”, deklaroi Admir Abrija, drejtor i njësive administrative.

Por edhe pse tha se kryeqyteti nuk është një territor problematik në kultimin e kanabisit, kryepolici i Tiranës kishte një mesazh.

“Kërkojmë ndihmën e shkollave dhe Drejtorisë Arsimore. Të dashur nxënës, ju ftoj t’i ndërgjegjësoni dhe t’u flisni prindërve dhe vëllezërve tuaj të mëdhenj të mos mbjellin kanabis sepse shtresa më e rrezikuar jeni vetë ju”, tha Ervin Hodaj.

Gjatë vitit 2016 në kryeqytet u asgjësuan 171 parcela në total me më shumë se 65 mijë bimë.

Top Channel