Vendimin e Senatit amerikan për ratifikimin e protokollit që lejon anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, ekspertë si Richard Weitz, i institutit Hudson në SHBA e konsiderojnë një sinjal të dërguar nga administrata amerikane përmes të cilit tregohet se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i mbeten besnike NATO-s dhe partnerëve europianë.

Një besnikëri e tillë u vu seriozisht në pikëpyetje gjatë fushatës presidenciale të Donald Trump. Por në kohën kur liderët e kontinentit të vjetër hamendësonin se cilat do të ishin qëllimet e shefit të ri të Shtëpisë së Bardhe, Britania nisi të paraqiste iniciativat e veta për Ballkanin.

Kryeministrja Theresa May e propozoi Mbretërinë e Bashkuar si vendin mikpritës të Samitit të Ballkanit perëndimor, që është planifikuar të mbahet në 2018-n.

Analistët besojnë se komentet e May ishin një përpjekje për t’iu treguar partnerëve të Londrës në Europë se prania e saj në rajon ka për të vazhduar.

Këto komente të May, bashkë me reagimin pas lajmit për komplotin e vrasjes së Milo Gjukanoviç në Malin e Zi, interpretohen si tentativë për të treguar se pavarësisht shkëputjes nga blloku, Anglia nuk do të largohet nga roli i lojtarit ndërkombëtar apo manifestimi i solidaritetit pan-europian.

Ndërsa bota ende kërkon të kuptojë se çfarë linje politike do të ndjekë Trump në Europë, Londra me gjasë do të përpiqet të marrë rol drejtues sipas disa zërave, e kjo vlen dhe për Ballkanin.

Kritikat e Trump ndaj NATO-s për çdo rast, nuk tregojnë domosdoshmërisht se presidenti amerikan nuk do t’ia garantojë Aleancës ushtarake mbështetjen e tij.

Top Channel