Vlorë, arrestohet i shumëkërkuari për vrasje

30/03/2017 00:00

Policia e Vlorës ka arrestuar një 30-vjeçar të dyshuar si autor i një sërë vjedhjesh dhe grabitjesh të dhunshme të ndodhura në këtë qytet, por edhe i dënuar në Itali për vrasje.

I arrestuari është shtetasi Klejvis Gjatari, banues në qytetin e Vlorës.  Ai dyshohet se është autor i disa grabitjeve të armatosura, ku në më shumë se një rast ka tentuar të vrasë viktimat e tij.

Gjithashtu, ky shtetas dyshohet se në tetor të vitit të kaluar është autor i plagosjes për motive të dobta shtetasin me inicialet F.M., ngjarje e ndodhur në një lokal në lagjen “Pavarësia”.

Po në këtë periudhë, 30-vjeçari Gjatari dyshohet gjithashtu si autor i grabitjes në bashkëpunim me me dhunë të shtetasit F.M., në zonën e Ujit të Ftohtë. Në bashkëpunim me shtetasin O. Shehu, Gjatari ka kërcënuar me armë dhe i kanë marrë me dhunë këtij shtetasi mjetin tip Audi.

Por Gjatari ka një CV të pasur kriminale. Në vitin 2012 ai është larguar nga burgu i Kavajës, ku vuante dënimin për armëmbajtje pa leje dhe kanosje. Për këtë arratisje, gjykata vendosi në mungesë dënimin me 4 vite e 10 muaj burg për të.

Në maj të 2016, në zonën e njohur si “Plazhi i Ri”, në bashkëpunim me shtetasit D. Rrapaj dhe A.Gjatari ai ka marrë peng shtetasin Y.K. duke e kanosur atë me armë zjarri.

Në dhjetor të 2016, sërish në zonën e Ujit të Ftohtë dhe sërish në bashkëpunim me persona të tjerë, Gjatari ka marrë me dhunë automjetin tip Benz të shtetasit V.F.

Gjithashtu, ky shtetas figuron person me precedentë kriminalë dhe penalë në shtetin italian për veprën penale të “vrasjes”.

Nga hetimet e kryera, rezulton se për t’iu shmangur drejtësisë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali, ky shtetas ka përdorur disa gjeneralitete të tjera si, Erion Gjatari, Eri Gjata dhe Erion Sula.

Dyshohet se ky shtetas gjatë kohës që ka qenë në kërkim është përfshirë në vepra të tjera të rënda kriminale, për të cilat Policia e Vlorës po punon për dokumentimin e plotë ligjor të tyre.

Top Channel