Qëlloi policinë, nis gjyqi ndaj 22-vjeçarit tek Krimet e Rënda

30/03/2017 00:00

Halil Shyti, 22 vjeç, po gjykohet nga Krimet e Rënda për sulmin ndaj policisë verën e vitit të kaluar, gjatë një aksioni antikanabis në fshatin Krahës të Tepelenës.

Gjithçka ka nisur pas zbulimit të një lidhjeje të paligjshme të energjisë që përdorej për pompat e ujit në 4 parcela me drogë. Gjatë këtij operacioni, njëri nga efektivët, Adriatik Hoxha është ndeshur përballë me Shytin, i cili pasi e ka kërcënuar ka qëlluar menjëherë me çifte në drejtim të tij. 

Efektivi i policisë është ulur në gjunjë, thotë prokurori, duke vendosur dorën para fytyrës dhe nga e shtëna e armës ai u plagos në trup nga katër saçma.

Në çelje të gjykimit, Halil Shyti kërkoi gjykim të shkurtuar. Ai pretendon se ishte i punësuar nga një bashkëfshatar i tij për të ruajtur parcelat.

Në funksion të hetimeve, gjykata ka dhënë masën e arrestit në mungesë ndaj Albano Ramajt ende i kërkuar nga policia. Ka dyshime se ai  ishte pronari i parcelave me 1300 rrënjë kanabis dhe kishte punësuar aty edhe dy pjesëtarë të familjes Shyti. 

Për plagosjen e efektivit të policisë, i riu shprehet se ishte në efektin e drogës, ndërsa përjashton bashkëpunimin me persona të tjerë

Në këtë ngjarje u arrestua edhe Luan Shyti, babai i 22-vjeçarit. Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencën pasi nuk rezulton të ketë qenë i pranishëm në vendngjarje. Ai do të gjykohet vetëm për kultivim droge nga Gjykata e Gjirokastrës.

Top Channel