Pas kapërcimit të pengesës proceduriale, që kishte mbajtur peng votimin, Senati amerikan e mbështeti me një shumicë të qartë votash anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, me shpresë se po dërgon në këtë mënyrë mesazhin që Shtetet e Bashkuara do t’i kundërvihen përpjekjeve të Rusisë për të shtuar ndikimin e saj në Europë.

Nisma tani pret firmën e Presidentit Donald Trump, hapi i fundit për ratifikimin e anëtarësimit nga ana e Amerikës. Plot 97 senatorë votuan në favor të anëtarësimit të Malit të Zi, ndërsa dy ishin kundër. Ratifikimi kërkonte dy të tretat e votave të 100 anëtarëve të Senatit.

“Kjo është më shumë sesa çështje e anëtarësimit apo jo të një kombi me 650 mijë banorë. Kjo është një provë në garën, në të cilën jemi përfshirë me presidentin rus Vladimir Putin”, tha John McCain, senator.

Administrata e Trumpit e ka mbështetur anëtarësimin e vendit të vogël ballkanik, ndonëse gjatë fushatës për presidencialet e nëntorit, ai u shfaq kritik ndaj anëtarëve të aleancës ushtarake, me argumentin se kishin dështuar të paguanin detyrimet e tyre.

Por si president, ai tani premton mbështetje për NATO-n. Zinxhirin e zhvillimeve që entuziazmojnë Podgoricën e nisi Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, me letrën e dërguar Senatit më herët gjatë muajit, ku i kërkonte miratimin e traktatit para takimit të lartë të NATO-s në muajin maj, në të cilin do të marrin pjesë presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare.

Top Channel