Ish-ushtaraku i Armatës Popullore Jugosllave, e më pas asaj maqedonase, deputet dhe një nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Talat Xhaferi është njeriu, emri i të cilit është i vetmi në listë për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë.

Por kjo është komplikuar si për shkak të debatit të gjatë të krijuar, por edhe kundërshtimeve të Lëvizjes Besa. Xhaferi është akuzuar nga kjo lëvizje si i papërshtatshëm.

Ai ka qenë ministër i Mbrojtjes, pozitë në të cilën po ashtu është kritikuar nga maqedonasit. Xhaferi thotë se është i vetëdijshëm për situatën e krijuar, por edhe i gatshëm për sfidat në terrene të vështirësuara.

“Nga përvoja parlamentare që kam, mendoj se do të jem në nivelin e detyrës, siç kam qenë edhe në nivel të detyrave paraprake që kam ushtruar. Shqiptarët në praktikë kanë pasur mundësinë që të shohin edhe konkretisht angazhimin tim në ato institucione e detyra. Siç e dini, unë jam në mandatin e pestë parlamentar”, thotë Talat Xhaferi, deputet i BDI-së.

Ai thotë se kjo është një sfidë historike, por edhe rast për shqiptarët. Gjithsesi, nuk brengoset për akuzat në nivel personal.

“Me ligj dhe Kushtetutë, kryeparlamentari ka kompetenca të gërshetuara me institucionet e pushteteve të tjera, përfshi edhe institucionin e kreut të shtetit. Sipas kompetencave, ai është i dyti në nivel shtetëror në situatat kur duhet të zëvendësojnë njëri-tjetrin. Për këtë arsye mendojmë se është aspekti politik i këtij roli, pozicionit si kryeparlamentar. Mirëpo tendenca e qasjes në aspektin individual apo personal është tendencë e gabuar”, thotë më tej Talat Xhaferi.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, në rast se arrihet të jetë një shqiptar, e bën këtë historike, por është edhe parakusht për zgjidhjen e krizës politike apo zgjedhjet e reja.

Top Channel