Institucionet e drejtesisë, Kushtetuesja pranë vendimit

28/03/2017 00:00

Gjykata Kushtetuese është përpara marrjes së vendimit nëse ligji për organet e qeverisjes së drejtësisë është apo jo në përputhje me Kushtetutën.

Çështja e ankimuar nga Partia Demokratike u shqyrtua sot për rreth 3 orë, por Gjykata do ta shpallë më vonë vendimin e saj.

Ligji i ankimuar është një nga më të rëndësishmit e reformës në drejtësi, sepse përcakton funksionimin e organeve të reja të drejtësisë.

Këtu përfshihet edhe ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë, të konsideruara si qeveria e sistemit të drejtësisë.

Partia Demokratike kërkoi shfuqizimin e disa neneve të ligjit, duke pretenduar për të paktën 5 shkelje të Kushtetutës. Ajo më e rëndësishmja lidhet me mënyrën e kandidimit të 10 juristëve që votohen në Parlament.

Opozita thotë se me komisione anikushtetuese të posaçme për filtrimin e kandidatëve, ligji i ka hequr të drejten kushtetutuse Kuvendit që ai të jetë i vetmi organ që mbledh, vlerëson dhe voton kandidaturat.

Parlamenti mbrojti idenë e maxhorancës se ligji ka prodhuar me besnikëri Kushtetuten, por në çdo rast kandidatët e filtruar nga komisionet e posaçme duhet të jenë më shumë sesa vendet vakante, në mënyrë që të mos cënohet e drejta e Kuvendit për emërimin e 10 anëtarëve juristë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë.

Top Channel