Falja e borxheve, do të përfitojnë edhe fermerët

28/03/2017 00:00

Nga falja e borxheve do të përfitojnë edhe fermerët. Ministria e Financave pranoi një propozim të deputetëve në komisionin parlamentar të ekonomisë, i cili fal gjobat dhe kamatëvonesat për të vetëpunësuarit në bujqësi që nuk kanë paguar sigurimet e detyrueshme për të gjitha vitet.

Por që fermerët të përfitojnë nga falja e gjobave dhe kamatëvonesave duhet të paguajnë sigurimet e detyrueshme për ato vite që nuk i kanë derdhur.

Amendamenti i propozuar nga deputetja Blerina Gjylameti e zgjeron faljen edhe për gjobat dhe kamatëvonesat mbi sigurimet e fermerëve, të cilat i përkasin 5 viteve të fundit.

“Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi që i përkasin periudhës 1 janar 2011-31 dhjetor 2016, me kushte pagesën e kontributeve brenda datës 31/12/2017”, deklaroi zv.ministri i Financave, Ervin Mete.

Një tjetër ndryshim i miratuar nga Komisioni është ai që fal borxhet tatimore të kompanive energjetike, përfshirë ato të kompanive satelit, që u krijuan nga CEZ në kohën kur ajo zotërohej nga çekët.

“Fshihen detyrimet tatimore të papaguara sipas përcaktimit në pikën 1 të nenit 2 të këtij ligji, me përjashtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të shoqërive që punojnë në sektorin elektro-energjitik dhe janë 100 për 100 me kapital shtetëror dhe që i përkasin periudhës tatimore 1/1/2011 deri në 31/12/2013”, deklaroi deputetja Gjylameti.

Në total, borxhet që u falen kompanive energjetike llogariten në rreth 60 milionë euro, ku pjesa më e madhe i përket kompanive bija të CEZ, por edhe KESH dhe OST përfitojnë falje në shuma jo të vogla. Pas votimit nga komisioni i ekonomisë, drafti i fshirjes së borxheve pritet të miratohet në seancën e radhës plenare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA