Zgjedhjet në Bullgari, triumf i proeuropianëve

27/03/2017 00:00

Politikani veteran Boiko Borisov dhe partia e tij e qendrës së djathtë pro-Bashkimit Europian mposhtën socialistët e orientuar drejt Moskës në zgjedhjet e përgjithshme të vendit.

Nga numërimi i shumicës së votave rezulton se “GERB” siguroi rreth 33% të tyre, por pa mundur sidoqoftë t’i afrohej një shumice të qartë në Parlamentin 240 vendesh.

Borisov nuk priti rezultatin përfundimtar për të treguar se çfarë sfidash e presin.

“Si vend kemi mundësinë e rrallë të marrim Presidencën e BE-së në muajin janar. Duhet të formojmë një qeveri të qëndrueshme në muajt që do të vijnë, por dhe një opozitë të tillë gjithashtu, e cila të ketë ndjenjën e përgjegjshmërisë. Situata është shumë e komplikuar, por do të bëjmë më të mirën tonë për të bashkuar vendin”, tha Boiko Borisov, udhëheqës i “GERB”.

Tani nis kërkimi për një partner koalicioni. Socialistët prorusë, të drejtuar nga Kornelia Ninova, të cilët u rreshtuan të dytët me gati 28% të votave, përjashtojnë kategorikisht çdo mundësi për të punuar me Borisovin.

“Nëse GERB na fton në koalicion, ne nuk do t’i bashkohemi. Ka disa parime në politikë dhe gjatë fushatës nuk lamë rast pa e treguar se programet tona janë totalisht të kundërta dhe se qëllimi ynë është ndryshimi i ‘status quo’-së”, tha Kornelia Ninova, udhëheqëse e Partisë Socialiste.

Bullgaria, vendi më i varfër i Bashkimit Europian, e ka pagën mesatare diku te 500 euro në muaj, ndërsa korrupsioni është galopant.

Top Channel