Vettingu, ONM shqyrton dosjet. Kontroll kandidatëve për komisionet

27/03/2017 00:00

Në sekret të plotë, që nga mëngjesi i së hënës dhe për shumë orë, ekipi i monitoruesve ndërkombëtarë të zonjës Kalavera kanë zbarkuar në zyrat e Avokatit të Popullit.

Pak orë nga mundësia e dytë që iu dha 164 aplikantëve me mungesa në dosje të plotësonin dokumentat që u mungonin, vetëm gjysma e tyre u rishfaqën në zyrat e Totozanit.

Në një sallë të këtij institucioni, pa praninë e medias, ekipi i Kalaveres, i përbërë nga Peter Ainsworth, nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA; Ferdinando Buatier de Mongeot, gjykatës kriminal me eksperiencë në EULEX Kosove dhe Maqedoni; Theo Jacobs, drejtor në Zyrën e konfiskimit të pasurive në Belgjike dhe po ashtu në EULEX Kosovë; Martin Kessen nga Gjykata e Lartë e Këlnit në Gjermani; dhe prokurori federal amerikan Mr John W. Vaudreuil kanë nisur të rishqyrtojnë dosjet e njerëzve të vettingut.

Janë në total 16 pjesëtarë të ekipit Kalavera, nga të cilët 8 monitorues të huaj dhe 8 ndihmës shqiptarë.

“Patjetër që po bashkëpunojnë, si herën e parë. Tani fillon integrimi i dosjeve të munguara të kandidatëve me ato ekzistuese. Ne kemi një javë kohë, ONM-ja ka 2 javë”, deklaron Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Kreu i ONM-së, Kalavera, më 3 mars u ka dhënë rekomandim pozitiv 79 aplikantëve, pjesë e grupit prej 164 personash, dosjet e të cilëve Parlamenti shqiptar i riktheu në tryezën e saj.

Nuk dihet sa do të jetë numri i të përzgjedhurve ndërkombëtarë për të bërë vettingun e drejtësisë shqiptare. 27 emrat që në fund të fundit do të votohen nga deputetët aktualë shqiptarë, nëse kjo procedurë do të arrijë të realizohet para shpërndarjes së Kuvendit.

Top Channel