Funari i pashkelur, infrastruktura pengon turizmin

26/03/2017 00:00

E pasur me pyje të shumëllojshme, me liqene të pastër dhe një natyrë thuajse të pashkelur, Funari është një nga bukuritë më të mëdha të Bashkisë Elbasan, por edhe të vendit.

Infrastruktura rrugore e vështirë ka bërë që kjo zonë të mosfrekuentohet masivisht, edhe pse ndodhet 20 km larg Elbasanit.

Për promovimin e kësaj zone dhe kthimin e saj në destinacion turistik, Bashkia Elbasan ka organizuar një festë e cila pritet të kthehet në traditë.

“Funari është zonë me resurse natyrore, me vlera historike, por me një infrastrukturë që nuk i përgjigjet”, shprehet një qytetar, ndërsa një tjetër thotë “Duhet bërë akoma më tepër se kemi vendin të pazhvilluar”.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit prezantoi një projekt ambicioz I cili synon ta lidhë Funarin drejtpërdrejt me Tiranën përmes një aksi rrugor që kalon mes fshatrave dhe ndikon në rigjallërimin e tyre.
“Objektivi ynë si Bashki është që në bashkëunim me fondin shqiptar të rajoneve të qeverisë shpresojmë t’i bëjmë një lidhje të dytë, për ta bërë më atraktive zonën”, shprehet Qazim Sejdini.

I ndodhur vetëm 20 km nga Elbasani dhe 25 kilometra nga Tirana këtë mrekulli të natyrës pakkush e njeh dhe aq më pak e viziton. E pasur me pyje pishash dhe dushku Funari ofron një klimë të shëndetshme që nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavat.

Top Channel