Aksioni për pastrimin e Tiranës, Veliaj: Inspektime dhe gjoba

26/03/2017 00:00

Aksioni i tretë vullnetar për pastrimin e Tiranës, këtë radhë është fokusuar në njësitë administrative në periferi të kryeqytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i bën thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj nisme, me qëllim për të pastruar dhe promovuar zonat turistike të Tiranës.

“Po pastrojmë një prej shtigjeve ku turistët vijnë me biçikleta, për të bërë atë që quhet “Shtegu i gjelbër”. Është paksa ironike që të ftosh turistë nga jashtë për “Shtegun e gjelbër” dhe t’i çosh në një shteg plehrash”, tha kryebashkiaku.

Erion Veliaj kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos ndosin brigjet e lumenjve duke derdhur çdo mbeturinë, qese apo materiale inerte pas punimeve që kryejnë në shtëpitë e tyre.

“Nuk mbarojnë gurët, llaçi dhe tullat. Ka vende ku mund të depozitohen këto dhe jo nëpër cepa rrugësh. Kemi vënë gjoba shumë të rrepta dhe do të vazhdojmë me gjoba të tilla”, deklaroi Veliaj.

Pas marrëveshjes për t’i blerë qeset e plasmasit nëpër supermakete, kryetari i bashkisë thotë se do të propozojë që ato të ndalohen me ligj: “Do t’i propozoj Këshillit Bashkiak që të shkojmë në masa edhe më drastike për ndalimin e qeseve. Do i propozoj edhe qeverisë që të ndalohen me ligj qeset plastike, që janë ndotësi kryesor i qytetit tonë”.

Top Channel