Senati i Shteteve të Bashkuara voton javën e ardhshme mbi propozimin që Mali i Zi të bëhet anëtari më i ri i aleancës së NATO-s. Udhëheqësi i shumicës atje, Mitch McConnell njoftoi se votimi procedurial për këtë çështje është caktuar të bëhet më 27 mars.

Vendimi për të shkuar në votim erdhi pasi administrata e Trumpit u bëri thirrje ligjvënësve që të lëvizin më shpejt në këtë drejtim.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u shkroi një letër drejtuesve të Senatit, ku përpiqej të shpjegonte se anëtarësimi i Malit të Zi do të ishte në interesin e fortë edhe të vet Shteteve të Bashkuara.

Të 28 anëtarët e NATO-s duhet ta ratifikojnë pranimin e Malit të Zi, përpara se vendi t’i bashkohet zyrtarisht aleancës. Deri më tani, vetëm 4 shtete nuk e miratojnë një hap të tillë. Votimi në Senatin amerikan ishte bllokuar për muaj të tërë nga dy senatorë republikanë, Rand Paul dhe Mike Lee, të cilët kundërshtojnë zgjerimin e aleancës ushtarake.

Në letrën e tij, Sekretari i Shtetit argumentonte se pranimi i Malit të Zi në aleancë do të mbështesë një integrim më të madh, reforma demokratike, tregti, siguri dhe qëndrueshmëri në mesin e fqinjëve të saj.

Moska kundërshton çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s dhe vonesa e Amerikës në miratimin e anëtarësimit të Malit të Zi, sipas VOA-s, ka nxitur pikëpyetje lidhur me vullnetin e administratës së presidentit Donald Trump dhe Partisë së tij Republikane për t’iu kundërvënë Rusisë.

Top Channel