Komisionet e vettingut, të hënën kontrolli i 164 kandidatëve

24/03/2017 00:00

Të hënën në mëngjes dhe për një javë Avokati i Popullit, nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit do të rishfletojë përfundimisht 164 dosje kandidatësh për 27 anëtarët e organeve të vettingut, që do të zgjidhen nga Parlamenti për të realizuar rivlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë shqiptarë.

Duke komentuar letrën më të fundit të shefes së ONM-së Genoveva Ruiz Calavera, të dërguar më 22 mars për autoritetet shqiptare, Avokati i Popullit, Igli Totozani ka deklaruar se shpreson që deri më 3 prill të arrihet përzgjedhja e kandidatëve, të cilët do t’i nisen Parlamentit për shqyrtimin final.

“Nuk janë seleksionuar 79 kandidatë, kjo duhet të jetë e qartë. Kandidatët janë 164 në listën që ne e quajmë “B”. Zonja Calavera në listën e saj tregon se 80 e ca janë me rekomandim negativ dhe 79 kanë një mundësi për t’u rikonfirmuar dhe që plotësojnë kriteret”, deklaron Totozani.

Ndërkohë ishin vetëm 79 kandidatë që morën fillimisht vlerësim pozitiv nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, nga të cilët vetëm 21 aplikantë u konsideruan të kualifikuar plotësisht.

Më 6 mars, në kushtet e urgjencës Parlamenti vendosi të kthejë edhe njëherë mbrapsht listën që kishte ardhur nga ONM dhe Avokati i Popullit.

Në këtë mënyrë, deputetët më 6 mars vendosën rihpajen e garës për në organet e reja të vettingut, duke e konsideruar numrin 21 si të pamjaftueshëm, nga 27 anëtarë të nevojshëm.

U desh që pas 10 ditësh, më 16 mars Kuvendi të miratojë një projektvendim të ri për vettingun, duke pranuar gabimin e bërë më 6 mars, kur kishte kërkuar rihpajen e garës për në organet e reja.

Ndërsa Parlamenti shpërndahet në maj, as Totozani as deputetët dhe as ONM nuk japin garanci se vettingu do të instalohet përprara zgjedhjeve parlamentare.

Paralelisht me përzgjedhjen e kandidatëve për organet e vettingut ka nisur nga puna komisioni “ad hoc” për vlerësimin paraprak të 17 kandidatëve nga Avokatia për anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe 14 kandidatëve për anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Top Channel