Energjia në bregdet, Rama dhe kreu i OSHEE inspektojnë linjat

24/03/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga administratori i OSHEE-së, Ardian Çela, ka inspektuar nga afër përfundimin e rikonstruksionit të nënstacionit të Golemit, i cili bën që e gjithë zona nga Plepat deri tek Shkëmbi i Kavajës të mos ketë më probleme me ndërprerjen e energjisë elektrike.

“Është një projekt kompleks, që ka gjithë ripërtëritjen e rrjetit të furnizimit me energji të zonës, por ka dhe gjithë ripërtëritjen e rrjetit  të Ujësjellës-Kanalizimeve në gjithë zonën e plazhit. Plus kemi disa projekte të tjera që fillojnë futen tani për të rehabilituar gjithë rrugët midis godinave që janë në plazh. 20 e kusur vite duke bërë turizëm me gropa septike dhe duke hedhur të gjithë ujërat e zeza në det, ka qenë një katastrofë”, ka deklaruar Rama.

Ndërkohë ka nisur faza e dytë, ku investimi po shtrihet në gjithë zonën bregdetare, nga Shkëmbi i Kavajës deri në Qerret.

“Dy fiderat e parë mbarojnë në korrik dhe brenda vitit mbarojnë edhe 4 të tjerët, që përfshijnë zonën nga Rreth Plepat deri në plazhin e Qerretit. Hyjnë në punë këto fidera dhe kalojnë për muze të vjetrit. Ky investim përfshin 60 kabina, 36 km kabull dhe përfitojnë mbi 9000 abonentë. Përveç kësaj, në zonën e Kavajës dhe në fshatrat përreth kemi investuar dhe 2.6 milionë euro të tjerë. Banorët e zonës turistike dhe banorët e zonës së Golemit deri në plazhin e Qerretit nuk do të kenë më probleme me energjinë elektrike”, deklaroi kreu i OSHEE-së, Ardian Çela.

Top Channel