Zgjedhja e kryetarit të ri të Parlamentit maqedonas, sipas deputetit të BDI-së, Artan Grubi, duhet të realizohet brenda ditës së enjte.

Grubi, i cituar nga mediat vendase, thotë se të dyja këto parti dhe koalicionet që i dhanë mbështetjen e tyre e kanë planin e zgjidhjes.

“BDI-ja, së bashku me LSDM-në do të japin një zgjidhje të situatës duke zhbllokuar formimin e komisionit të emërimeve, zgjedhjen e kryetarit e më pas të konstituimit të Parlamentit”, citohet të ketë thënë ai.

Në këtë mënyrë, mandatimi i Zoran Zaevit për formimin e qeverisë nuk do të pengohet dot, edhe nëse nuk bëhet nga presidenti Gjorge Ivanov, ishte komenti i Grubit.

Apelet e ndërkombëtarëve ndërkohë vazhdojnë t’i mëshojnë nevojës për shmangien e konflikteve etnike.

Presidenti i Shoqatës së Europës Juglindore në Gjermani, Gernot Erler nuk i kursen kritikat ndaj Ivanovit. Kjo është një krizë e rëndë shtetërore dhe kushtetuese, shprehet ai, ndaj përpjekjet bilaterale nuk mjaftojnë më.

“Nuk mund të pranohet që vetëm pse Gruevski me kabinetin e tij i trembet daljes përpara drejtësisë të pengohet krijimi i ekzekutivit të ri me ndihmën e presidentit”, shprehet Erler.

Ai e shikon akoma edhe më të rrezikshme përpjekjen e kreut të VMRO-DPMNE-së për të krijuar tensione etnike.

Edhe dy vëzhgues të hershëm të zhvillimeve në Ballkan, Edward Joseph dhe Januzs Bugajski e shohin krizën politike në Maqedoni  si artificiale e të panevojshme dhe mendojnë se është shkaktuar nga refuzimi i VMRO-së për të pranuar të drejtën kushtetuese të një partie opozitare që të formojë qeverinë.

Efekti i kësaj krize, thotë eksperti, është shumë i rëndë. Ai i quan thirrjet e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski që njerëzit të dalin në rrugë në mbrojtje të vendit “të papërgjegjëshme dhe potencialisht të rrezikshme”.

Top Channel