Meta: Veterinaria, e rëndësishme për rritjen ekonomike

23/03/2017 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në Konferencën Kombëtare të Urdhrit të Mjekut Veterinar me temë “Mjeku veterinar shqiptar dhe sfidat për të ardhmen”.

Konferenca ishte organizuar nga Urdhri i Mjekut Veterinar dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Veterinarisë. Të pranishëm ishin edhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti dhe profesorë të njohur të veterinarisë në UBT.   

Në këtë konferencë, Meta mbajti edhe një fjalë përshëndetëse, ku theksoi rëndësinë e krijimit të kësaj dege shkencore në vendin tonë e cila ndihmon në përmirësimin e produktit blegtoral si edhe në rritjen ekonomike të vendit.

“Dita e veterinerit trupëzon virtytet, vlerat profesionale dhe frymën e themeluesve të këtij shërbimi jashtëzakonisht të rëndësishëm me në krye profesor Bilal Golemi që në vitin 1928. Që nga ajo kohë një plejadë e tërë profesionistësh shërbyen me përkushtim për të parandaluar dhe çrrënjosur sëmundje të rrezikshme, jo vetëm për kafshët, por edhe për njerëzit si bruceloza, turbekuloza, plasja, tërbimi, etj. U prodhuan vaksinat shqiptare për mbrojtjen e blegtorisë nga sëmundjet. U zhdukën vatra e infeksionit dhe u vendos mbarështimi i kafshëve mbi baza shkencore. Dita e veterinarisë sot përjeton edhe frytet e para të reformës së veterinarisë, që trajton shëndetin e kafshëve si pjesë e shëndetit publik dhe themeloi për herë të parë në çdo qark të vendit stacionet veterinare”, tha Meta, duke shtuar se shërbimi veterinar në vend po zhvillohet edhe më shumë, duke përmendur rastin e përballimit të sëmundjes së Dermatozës Modulare.

“Vitet që shkoi shërbimi veterinar përballi me sukses sëmundjen e rrezikshme dhe të panjohur më parë të ‘Dermatozës Modulare’, duke frenuar me sukses përhapjen dhe pasojat e saj. Dhe tashmë Ministria e Bujqësisë po kompenson kokë për kokë me lopë race, me prodhimtari dyfish më të lartë të gjithë fermerët e dëmtuar fatkeqësish nga kjo sëmundje. Falë angazhimit dhe përkushtimit të trupës veterinare u vaksinuan rreth 250 mijë lopë dhe u krijua një brez parandalues i qëndrueshëm”, tha Kryetari i Kuvendit.

Ndërkaq, Meta më fjalën e tij nënvizoi mbështetjen e tij për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj dege të mjekësisë si një domosdoshmëri jo vetëm për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve, por edhe me arritjen e standardeve më të larta për prodhimet blegtorale.

“Njëkohësisht, dua të theksoj rëndësinë e mbështetjes më tej të rritjes së cilësisë së këtij shërbimi dhe të modernizimit të tij si një domosdoshmëri, jo vetëm për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve, që është tashmë prioritar, por njëkohësisht është i lidhur ngushtë edhe me arritjen e standardeve për prodhimet tona blegtorale për rritjen e eksportit. Çka është një domosdoshmëri, jo vetëm për rritjen e prodhimit në vend, jo vetëm për rritjen e të ardhurave të ekonomisë kombëtare, por edhe për rritjen e të ardhurave të fermerëve tanë kudo në të gjithë vendin”, shtoi Meta.

Kryetari i Kuvendit i bëri gjithashtu thirrje të rinjve që ta shohin Universitetin Bujqësor të Shqipërisë më me shumë interes si një nga degët më potenciale të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB