Mashtruesit e legalizimeve, Lame: Bëni kujdes dhe denonconi rastet

23/03/2017 00:00

Policia ka arrestuar 23-vjeçarin Artan Laçi, banues në Tiranë, pasi duke u shtirur si nëndrejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t u kërkonte para qytetarëve për t’u legalizuar banesat.

Vënia në pranga e “nëndrejtorit mashtrues” u bë pas kallëzimit të një qytetareje, së cilës i riu dyshohet t’i ketë marrë përmes mashtrimit një shumë prej 58 milionë lekësh. Por kjo nuk është ngjarja e vetme në të cilën individë spekulantë përpiqen të përfitojnë nga qytetarët.   

“Përpara rreth një muaji në Farkë, policia arrestoi një tjetër individ që ushtronte të njëjtin zanat dhe të cilit iu gjetën në banesë grumbuj dokumentash pronësie dhe legalizimi qytetarësh të ndryshëm. Përpara disa ditësh në një takim publik me qytetarë na u denoncua prej tyre fakti se kishin paguar para të gjithë banorët tek një person që u kishte premtuar se do ti bënte legalizimin”, thotë kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.

Kreu i ALUZNI-t u kërkon qytëtarëve të denoncojnë të gjitha këto raste.

“Mos u zini besë personave që nuk e kanë këtë dokument. Një legalizim ose bëhet ose nuk bëhet. Nëse ligji nuk e jep, nuk ka maliq që të mund ta bëjë duke dhënë para nën dorë. Ftoj cdo qytetar të denoncojë pranë drejtorive përkatëse apo direkt pranë meje cdo rast sekserllëqesh të tilla”, tha ai.
 
Kreu i ALUIZNI-t thotë se aktualisht po punohet për evidentimin e apartamenteve me probleme të cilat janë braktisur nga ndërtuesit dhe që pritet të hyjnë në process legalizimi.

“Është nga proceset më të komplikuara  ndërtuesit  po nga ana profesionale më kënaqësi sjellëse sepse shkokoleps një lëmsh jashtëzakonisht të ngatërruar. Në Tiranë, Vlorë, Elbasan, Durrës kemi patur rastet më masive të tyrë objekteve po përpunohen. Qytetarët kanë dy detyra, të plotësojnë me durim dokumentat kur ju kërkohet dhe e dyta të vijnë të trokasin të thonë se është edhe ky pallat dhe e treta t’ju bëjnë presion ndërtuesve t’u thonë shko se shteti i hapi mundësitë që të legalizohet”, apeloi kreu i ALUIZNI-t. 

Top Channel