Kuvend, Rama “masakron” Blushin: Në karrige edhe pak javë

23/03/2017 00:00

Në seancën plenarë të kësaj të enjteje, kryeministri Rama ka sulmuar ashpër ish-deputetin e partisë së tij, tashmë kryetar i LIBRA-s. Rama e ka akuzuar Ben Blushin se u fut në Parlament me mandatin e banorëve të Elbasanit dhe e keqpërdori atë për të hedhur vrer dhe për interesa personale.

“E ke zënë padrejtësisht karrigen dhe ke abuzuar me të”, i ka thënë Rama ish-deputetit socialist, të cilin e ka cilësuar një person që po mundohet të riciklojë veten e tij nga koha e kaluar në radhët e politikës së vjetër.

“Më vjen keq për Blushin. Më vjen keq për të rinjtë që ngatërrojnë derën e bibliotekës me atë të partisë së tij. Një personazh i sajuar si në letërsi, por njeri i gjallë në librin e jetës sonë reale, i cili sapo ka zbritur mes nesh nga një planet tjetër, për t’u dhënë pushtetin të varfërve sapo t’u ketë vënë dërrmën partive të vjetra. Ky është shoku im Beni. Është orvatur të krijojë personazhin e tij në sytë e atyre që s’e njohin sepse janë shumë të rinj, ose sepse janë shumë të lodhur”, ka thënë Rama.

Miku ynë kundërshtar – ka vijuar ai – nuk meriton përgjigje, sepse erdhi në parlament si deputet i PS për Elbasanin dhe nisi baltosjen e gjithë socialistëve të Shqipërisë.

“Zi e më zi, më Sali se Saliu. Ti nuk meriton minuta dhe fjalë nga koha dhe puna jonë. Por për pak javë, karriken e deputetit të PS të Elbasanit, që po e përdor për hesapet e tua personale, është një përgjigje jo për ty, por një shpjegim nga ana ime për ata që s’të njohin. T’u them se personazhi juaj i ri është një xhaketë jo vetëm e vjetër në garderobën e politikës sonë, por edhe e kthyer mbrapsht më shumë se njëherë në 20 e ca vite me radhë”, ka thënë Rama.

Sipas tij, të gjithë këtë Blushi e bën për një post ministror. “E vërteta e vjetër që ne, shokët dhe shoqet e tij të vjetër në PS, e dimë prej kohësh është se Beni vdes për pak ministër, sa është gati të shfaqet i rilindur në lëkurën e tij të vjetër, për t’u dukur si protagonist i ri. Ti e do aq shumë ministrin, sa të vjen inat për Tahirin, Beqjan, Klosin, etj. Si mund të ishe ti ministër kur more rezultatin më të ulët në Elbasan? Si mund të ishe ti ministër, që dy herë ministër në kohën e Fatosit bëre dy vrima në ujë?”, ka shtuar Rama.

Blushi: Pashë një kryeministër të degraduar

Nga ana e tij, Blushi ka reaguar sërish duke thënë: “Nuk më vjen keq që pash një kryeministër të degraduar. Më vjen keq që pash një mik të degraduar, që është ulur dje e ka bërë një fjalim, ndërkohë që sot kishte për detyrë të fliste para shqiptarëve për ministrat e rinj. Ky që mat kur zgjohem unë e kur fle unë do ju mbrojë juve? Këtë punë bën ky. Ka shumë shqiptarë që thonë se kam qenë shoku i Edi Ramës dhe është e vërtetë, por a ka njeri të thotë se kam qenë shoku i Elvis Roshit, i Koço Kokëdhimës, apo të tjerë? Unë nuk jam njeri banal, flas për politikë dhe me profesionalizëm. Mos ka ardhur koha të tregojmë se çfarë bëje ti me Fatosin? Si ziheshe me Fatosin për një vend pune? Unë nuk kam vrarë njeri dhe as kam mbyllur sytë kur është vrarë njeri. Dhe as nuk kam mbjellë Shqipërinë me kanabis. Je një njeri i degraduar. Ti Edi e ke këtë, të vret pas shpine. Këtë e dinë të gjithë”.

Nikolla-Blushit: Je një injorant
Blushi: Merrje 3 mijë euro për një vend pune

Punimet në Parlament kanë vijuar me deputeten e partisë LIBRA, Mimoza Hafizi që ka akuzuar qeverinë dhe në veçanti ministren e Arsimit se me reformën në arsim ka shkatërruar arsimin e lartë publik dhe ka favorizuar atë privat.

Pasi ka replikuar me Hafizin, ministrja Lindita Nikolla ka shpërthyer ndaj Blushit. “Ti je një injorant që shkruan libra dhe me injorancën tënde ke ardhur këtu në Parlament”, ka thënë Nikolla.

Por Blushi nuk ka qëndruar indiferent. “Badigardi i kësaj ministreje shkonte dhe i merrte qytetarit 3 mijë euro për një vend pune. Badigardi u arrestua dhe kjo ministre që ndante paratë me të ka bërë reformën në arsim”, ka thënë Blushi.

Blushi: I rrezikshëm numërimi i votave nga militantët

Më herët në fjalën e tij, Blushi preku çështjen e votimit elektronik. Blushi deklaroi se kjo metodë votimi është diçka që realizohet, por problemi është një tjetër: numërimi i votave nga militantët.

“Numërimi elektronik është shumë i lehtë, por ta zëmë se nuk u bëka. E vështirë është të heqim dorë nga numërimi militant. Militantët e 4 partive shkojnë për të numëruar votat e të gjitha partive. Janë rreth 300-400 mijë vota dhe nuk janë as të PS, as të PD, as të LSI dhe as PR-së. Çfarë të drejte keni t’i numëroni? Nuk ka asnjë vend që cakton 1, 2 apo 3 parti që të numërojnë të gjitha votat për një republikë”, tha Blushi.

Ndonëse është shprehur kundër shtyrjes së zgjedhjeve, Blushi theksoi se vendi ndodhet në krizë pikërisht për shkak të dominimit të dy partive të mëdha. Zgjidhja sipas tij duhet të fillojë me zgjedhjen e presidentit nga populli, çështje që, siç tha ai, është bërë shkak edhe për fërkimet në radhët e koalicionit.

“Në Republikën e Shqipërisë presidenti i takon popullit. Një nga arsyet pse një parti del dhe flet për kanabisin është sepse do të afrohet tek presidenti. Nxirreni presidentin nga kjo shumicë. Nuk mund të jetë presidenti njëri prej jush që ka votuar për të bashkjetuar me krimin këtu, që ka votuar ligjin për arsimin e lartë, apo për mbetjet. Nxirreni nga Parlamenti, ose nga shumica në rastin më të keq”, tha Blushi.

Ai shtoi se, kjo shumicë është e shuar nga nocionet dhe ka vetëm oreks për pushtet. “Ata që janë në çadër dhe ju këtu e njëjta shumicë jeni. E keni ndarë sistemin e drejtësisë në dy pjesë, 3 vetë njëra palë dhe 3 vetë tjetra në komision dhe ky barazim bllokon reformën zgjedhore”, shtoi Blushi.

Top Channel