Kënd i ri lojrash në Tiranë

23/03/2017 00:00

Parku te ish-Fusha e Aviacionit është transformuar në një hapësirë argëtimi dhe rekreacioni për fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit. Bashkia e Tiranës ka nisur prej disa ditësh rikonstruksionin e sheshit sportiv dhe këndit të lojërave në Njësinë Administrative numër 7, me qëllim rikthimin e kësaj hapësire të degraduar, tek qytetarët. Kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se për herë të parë brenda një viti po punohet paralelisht për ndërtimin e 13 këndeve të lojërave për fëmije.

“Vjet, në 1 qershor, premtuam se përveç këndit të lodrave te Liqeni Artificial, do kishim nga një kënd të tillë në të gjitha njësitë e Tiranës urbane. Ende pa u mbushur viti, e kemi tejkaluar premtimin. Do të thotë që, kur bashkia lejohet të punojë, jo vetëm mbaron këndet e mëdha të lodrave, si ai tek parku i Liqenit apo në Yzberisht, por shkon në çdo lagje. E dimë se jo të gjitha banorët e kanë mundësinë t’i çojnë fëmijët përditë te Liqeni, por tani fëmijët e tyre e kanë më kollaj të luajnë brenda territorit të lagjes së tyre, në komunitetin e tyre, pranë pallatit”, tha Veliaj.

Por, ajo që pritet të ndodhë te ish-Fusha e Aviacionit është edhe ndërtimi i një këndi të ri lojërash, një fushe sportive për basketboll dhe një kënd force, pa harruar rehabilitimin e gjithë zonës përreth, duke krijuar kushte çlodhëse për të gjithë banorët.

“Kjo është hera e dytë që kthehemi në Njësinë 7, pas këndit fantastik të lodrave te “Kongresi i Lushnjes”. Do të fillojmë me rehabilitimin e gjysmës së ish-Fushës së Aviacionit dhe do ta ndajmë investimin në dy pjesë. Nëse kafenetë kanë zot dhe hapësira për të moshuarit dhe fëmijët është trajtuar si hapësirë pa zot, unë jam këtu për të thënë që po, edhe kjo hapësirë ka një zot dhe zoti i hapësirës për fëmijët dhe të moshuarit është Bashkia e Tiranës. Ndaj sot, po i dalim zot hapësirës publike ashtu si privati i ka dalë zot hapësirës së tij. Unë besoj se ky qytet meriton të sfidohet me aktivitet sportiv dhe fizik për fëmijët, me një jetë e ushqim të shëndetshëm”, deklaroi Veliaj.

Jetëzimi i ish-Fushës së Aviacionit përfshin edhe ndërtimin e një këndi basketbolli. Përveç rikualifikimit estetik të zonës së banuar, nëpërmjet planifikimit dhe shtimit të gjelbërimit, një tjetër element i rëndësishëm është ndërtimi i infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur, si vendosja e stolave.

Top Channel