“Luftë” zhulit, aksion i bashkisë për pastrimin e Tiranës

22/03/2017 00:00

Të dielën e kësaj javë Bashkia e Tiranës organizon një tjetër aksion vullnetar për pastrimin e të gjithë territorit kryesisht të njësive administrative në periferi të qytetit.

“Në datën 26, në orën 9, ne nisim aksionin që e kemi bërë të përvitshëm dhe tashmë të përmuajshëm, Pastro Tiranën në një ditë. Është një aksion që ne mundohemi që të thërrasim dhe që të kemi pjesë vullnetarisht të gjithë qytetarët e Tiranës. Do ta bëjmë këtë aksion në të 24 njësitë e Tiranës, por më të rëndësishëm e kemi për 13 njësitë jashtë qendrës së Tiranës, pasi aty janë mbetjet dhe denoncimet më të shumta. Ajo që presim është që qytetarët të na bashkohen sa më shumë”, thotë drejtorja e Promovimit të Mjedisit në Bashki, Julinda Dhame.

Ky është aksioni i tretë që organizon bashkia për të pastruar në mënyrë vullnetare territorin përreth banesës. Përveç qytetarëve, të cilët nuk janë të shumtë që i bashkohen aksioneve të tilla, bashkia fton edhe operatorët tursitikë, që zhvillojnë guida në zonat turistike të Tiranës, apo dhe organizata të ndryshme të mjedisit për të kontribuar në pastrim.

“Pjesëmarrja e qytetarëve nuk është shumë e lartë. Unë e kuptoj që është detyrë e bashkisë pastrimi, por ama jemi po ne që e bëjmë pis atë. Ne duam që të ndërgjegjësojmë qytetarët që të bëjnë më pak pis dhe jo vetëm të denoncojnë, por të bëhen pjesë e pastrimit dhe për të kuptuar sesi ndahen mbeturinat”, shton Dhame.

Top Channel