Ekspertët: Sulmet mund të përsëriten, por ISIS po humb fuqinë

22/03/2017 00:00

Eksperti i sigurisë, Arian Dyrmishi ka deklaruar se sulmi në Londër kishte për qëllim që të vinte në pikëpyetje masat anti-terror të autoriteteve britanike.

“Londra që prej vitit 2013, kur në rrethana të ngjashme u vra një ushtarak, ka pasur masa shumë të shtrënguara sigurie, masa përsa i përket eksplozivit dhe armëve të zjarrit, që vazhdojnë të jenë të shtrënguara. Por duhet pasur parasysh se Londra konsiderohet një fortesë sa i përket masave anti-terror dhe sidomos zona e Westminsterit, e cila prej kohësh ka qenë objektiv i ISIS dhe në njëfarë mënyre mund të thuhet se arritja e këtij aksioni sot është një sukses i pjesshëm”, ka thënë Dyrmishi.

I ftuar në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel, ai ka nënvizuar se në të ardhmen mund të ketë sulme të tjera, por fuqia e ISIS, sipas tij, sa vjen dhe po bie.

“Parashikohet që ata (ISIS) të kalojnë në një organizatë të nëndheshme, pa ndonjë territor që zotëron. Pra, të gjithë atyre rekrutëve që shkonin nga Europa për t’u bashkuar me Shtetin Islamik do t’u kërkohet të kryejnë sulme aty ku janë. Dhe pritet të ketë sulme, natyrisht të profilit të ulët”, ka thënë Dyrmishi.

Top Channel