Ekonomi: Kulinaria është produkt i ri turistik që duhet promovuar

22/03/2017 00:00

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, mori pjesë në “Konferencën e Degustimit të Kulinarisë nga gjithë trevat shqiptare”. Konferenca u organizua nga Shoqata e Restoranteve Turistike Shqiptare, që tashmë ka gjithsej 70 anëtarë.

Ministrja Ekonomi u shpreh shumë e impresionuar me anëtarësinë e shoqatës dhe me gjithë produktet e shumëllojshme që u paraqitën në këtë panair. Në fjalën e saj ajo u shpreh: “Është kënaqësi kur shikon që dhe pse është organizatë e re, aderojnë në të kaq shumë anëtare. Teksa po vija këtu sot, po mendoja se çfarë ndodh në botën e aktivitetet botërore të turizmit, ku ne marrim pjesë me kulinarinë apo gastrononimë. Organizata Botërore e Turizmit prej kohësh e quan turizmin e gastrononomisë një nga trendet e reja që janë shfaqur në sektorin e turizmit. Trendi për të bërë gastronominë turizëm botëror ka nisur në 2004. Dhe ne i jemi bashkuar këtij trendi pak më vonë, por jemi në kohë. Arsyeja pse Organizata Botërore e Turizmit vendosi që gastronomia mund të jetë një produkt i mire turistik për t’u zhvilluar, lidhej me një fakt të rëndësishëm që ka të bëj me jetën e komuniteteve të vogla lokale që duhen të bëhen pjesë e gjithë zhvillimit të vendit”.

“Nëse duam të zhvillojmë kulinarinë, duhet të përpiqemi fort që ta kthejmë atë në një instrument zhvillimi duke ndihmuar një bashkësi lokale që të nxjerrë më të mirën e vet dhe të japë më shumë produkte karakteristike të zonës së saj”, shtoi Ekonomi.

Konferenca u pasua nga një prezantim kulunarie ku u prezantuan gatimet më të mira shqiptare që nga zona e Kelmendit e deri në Gjirokastër. Nën moton “Turizmi fillon nga ne”, kjo shoqatë synon që të njihet vlera e kulinarisë shqiptare dhe të promovohet sa më shumë.

Top Channel