Ditë-nata e “Pazarit të Ri”

22/03/2017 00:00

Dikur njihej për tregun e fruta-perimeve dhe markatën e mishit dhe të peshkut, që me vitet kish filluar të degradonte.

Papastërtia disavjeçare kishte zënë rrënje dhe ishte kthyer në problem shqetësues për tregtarët, blerësit dhe sidomos për banorët e zonës, një nga qendrat historike të Tiranës së vjetër. Sot, ai që quhej paradoksalisht deri dje “Pazari i Ri”, mban vendin që meriton, një kompleks i ri urban, ku 6 kultura, 6 zona bashkëjetojnë me njëra-tjetrën, tanimë në një shtëpi të re.

Aty ku mbizotëron e reja e alternuar me historinë dhe traditën e vjetër të pazarit, gjen një shumicë dominuese të produkteve vendase, kryesisht nga rrethinat e Tiranës. Në tezga janë vendosur tregtar të vjetër dhe të rinj, ku ata qe tregtojnë këtu që kur liria e tregtisë erdhi bashkë me pluralizmin, mbajnë edhe vendet më të mira. Por jo të gjitha kujtimet janë kështu.

“Ngjarja më e vështirë ka qenë ajo e 97-s. Të gjithë nxitonin për të mbledhur armë, ne shisnim në treg”, thotë një tregtar i këtij pazari.

47-vjeçari nga Shën Gjergji merret me tregti që në vitin 1991, menjëherë pasi kreu ushtrinë. Fillimisht shiste elektro-shtëpiake, kafe apo artikuj të tjerë, deri kur në vitin 2000 do të shiste ullinj si sot nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orën 9:00 të darkës.

Për shumë, siç do gjë tjetër, “Pazari i Ri” dhe projekti i ri i tij, është një objekt debati politik. Kritikët e Erion Velisë e quajnë bile një projekt të kryetarit të vjetër. Por “Pazari i Ri”, ai i vërteti, u bë realitet vetëm në 14 mars. Dhe atyre që këtu nxjerrin bukën e gojës prej dekadash, thonë se e kaluara tashmë është lënë pas. Por jo harruar.

“Kemi qenë në kushte mizerabël. Këmbët qull, më duheshin 4 palë këpucë në muaj. Uji na binte mbi kurriz. Sot jemi shumë mirë, në këtë mrekulli”, shprehet Gazmendi.

Pazari i ri është kthyer në një tërheqje magnetike edhe për të huajt, që e konsiderojnë Tiranën tonë një target turistik ndërkombëtar.

“Kishim dëgjuar dhe kishim interes të shihnim një treg sepse është mënyra më e mirë për të njohur nga afër njerëzit dhe ajo çfarë realisht prodhohet në Shqipëri. Është shumë i ngjashëm me atë që ne kemi në Spanjë. Ajo që më bën përshtypje është që është shumë i pastër, shumë i kuruar deri në detaj”,  Pedro Fernandes, turist.

Por ajo që e bën të veçantë “Pazarin e Ri”, është fytyra tjetër e tij. Në mbrëmje kur tregtarët ikin, ai kthehet në një zonë argëtimi, muzike live, dhe restorantesh tradicionale dhe modern.

Çdo natë organizatorët thonë se do ketë një aktivitet të ri. Dikush mund të thotë se janë motorët e fushatës elektorale. Por fushata dhe zgjedhjet do mbarojnë, ndërsa “Pazari i Ri” me fytyrën e tij të re do të mbetet. Dhe kjo është ajo që u intereson tiranasve.

Top Channel