Hahn: Ivanov të rishikojë urgjentisht pozicionin e tij

21/03/2017 00:00

Në përfundim të një dite të gjatë, me takime të veçanta me liderët maqedonas dhe ata shqiptarë në Shkup, Komisionari i Zgjerimit, Johanes Hahn kërkoi që  Maqedonia të mos humbë asnjë ditë, pasi është në dëm të saj dhe të proceseve euro-atlantike.

Hahn i apeloi të gjithë liderëve, përfshirë edhe presidentit Ivanov, që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të fundit dhe shumicën parlamentare.

“Ne Inkurajojmë presidentin që urgjentisht të rishikojë pozicionin e tij. Nuk ka kohë për të humbur. Ne presim nga liderët dhe institucionet që të lejojnë që proceset demokratike të rrjedhin në interes të qytetarëve”, tha Hahn në një deklaratë të përbashkët edhe me tre euro-deputetët që e kanë ndjekur nga afër krizën në Maqedoni.

Sipas tij qeveria e re duhet të formohet sa më shpejt, në mënyrë që të vazhdohet me zbatimin e reformave.
 
Nisma për Maqedoninë e përbashkët e priti me protesta në Shkup, komisionarin dhe tre euro-deputetët. Protestuesit hodhën parulla kundër BE-së dhe thanë se Hahn nuk është i mirëpritur, ndërsa e falënderuan presidentin Ivanov që takimin me komisionarin ua rezervoi atyre.
 
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, tha pas takimit se komisionari la porosi që të tejkalohen mosmarrëveshjet dhe Maqedonia të konstituojë institucionet pa humbur kohë. Ai apeloi që kjo krizë politike të mos shndërrohet në një krizë etnike. Ahmeti tha se nuk ka tërheqje nga platforma shqiptare, pasi kush e kërkon këtë thotë që ne të tërhiqemi nga marrëveshja e Ohrit.

Ndërsa kreu i LSDM-së Zoran Zaev, tha se porosia e Hahn është për të përshpejtuar në rrugën e krijimit të institucioneve. Duhet të zgjedhim kryetarin e Kuvendit, i cili do të shmangë 10 ditët e pritjes së presidentit, pasi programi i qeverisë së ardhshme është prezantuar. Çdo ditë që humbim është e rrezikshme për Maqedoninë”, tha Zaev, sipas të cilit, popullit i ka humbur durimi.

Ndërkohë takimi me Nikolla Gruevskin shkoi përtej parashikimeve. Zëdhënësi i komisionarit tha se është e rëndësishme që të vlerësohet maxhoranca parlamentare dhe qeveria të formohet sa më shpejt, në respekt të kushtetutës.

Por nga VMRO DPMNE foli Antonio Milloshovski, i cili tha se iu propozua zotit Hahn, që nëse Zaev kërkon të formojë qeverinë, të mos jetë i kushtëzuar nga platforma e shqiptarëve dhe ta refuzojë atë.

Ndërkohë opsioni i dytë i Gruevksit është që vendi të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare, bashkë me ato lokale pas disa muajsh. 

Top Channel