Borchardt: Mos harroni të shkuarën

21/03/2017 00:00

Nxitja e dialogut kombëtar për të shkuarën komuniste mblodhi në një tryezë të përbashkët përfaqësues nga institucione të ndryshme politike dhe përfaqësues të shoqërise civile.

Duke hequr vija paralele mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, tha se Gjermania e dokumenton të shkuarën përmes pllakatave, monumenteve e muzeve, ndërsa Shqipërisë i duhet të nxitojë në këtë drejtim.

“Në vendin tim, Gjermani, ne kemi shumë vende kujtese: pllaka, monumente, muze, ekspozita dhe qendra dokumentimi. Këto janë krijuar nga aktorë të ndryshëm, si edhe nga shteti dhe i dedikohen përkujtimit të viktimave të informimit të publikut për krimet dhe vuajtjet që ata kanë shkaktuar gjatë regjimit socialist e komunist. Shqipëria po përparon ngadalë në këtë aspekt. Unë besoj se ka vend për përmirësim në lidhje me përballjen me të shkuarën”, u shpreh ambasadori Bernd Borchardt.

Një traumë që ende nuk ka kaluar e quajti ministrja e Kulturës periudhën e diktaturës në Shqipëri, duke kërkuar kthimin në muze të historisë së diktaturës.

“Shkrimi i historisë nuk është detyrë e politikës, por është detyrë e politikës të ndërtojë mekanizma financiare dhe profesionale që dëshmitë e kohës të mos vdesin, që dëshmitarët të mund  të shprehen. Kjo është arsyeja pse vendosëm që Shtëpinë e Gjethit ta restaurojmë, të hulumtojmë gjithë historinë e krijimit të këtij instrumenti terrori të diktaturës komuniste, para se të jetë shumë vonë”, tha Kumbaro.

“Në Shqipëri të rinjve që nuk e kanë jetuar diktaturën u duhet dhënë me çdolloj doze vërtetësia e fakteve. Kampet e përqëndrimit japin infrasktrukturën e duhur dhe kjo nuk ka kosto. Nuk ka lidhje me financat. Mendoj se ka lidhje me atë që e sheh si spektakël, apo si operacion masiv për kurimin e plagës”, deklaroi  Bilal Kola, kryetar i Institutit të ish të Përndjekurve.

Ky ishte takimi i katërt i organizuar në kuadër të projektit “Mbështetja e platformës së dialogut kombëtar për shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë ish-regjimit komunist në Shqipëri.”

Top Channel