Trajnimi i policisë për zgjedhjet

20/03/2017 10:45

6500 efektivë të Policisë së Shtetit do të trajnohen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.

Duke folur para drejtuesve të uniformave blu, ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt kërkoi që policia të jetë e pavarur dhe të veprojë me profesionalizëm, por pa harruar edhe luftën ndaj kanabisit.

“Zgjedhjet e këtij viti do të jenë një pikë e rëndësishme për konsolidimin e demokracisë dhe performanca e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor do të jetë një përbërës thelbësor i zgjedhjeve të suksesshme. Megjithëse këto zgjedhje janë një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë, policia duhet të vijojë edhe punën e përditshme, si luftën kundër kërcënimeve transnacionale dhe krimit të organizuar, veçanërisht luftën kundër kanabisit”, tha Borchardt.

Një këshillë për policinë kishte edhe kryetari i KQZ-së, Denar Biba: “Sa më pak që ju të dukeni, do të thotë se aq më mirë po shkon situata. Uroj që të dukeni sa më pak në ditën e zgjedhjeve”.

Ndërkohë, numri 1 uniformave blu, Haki Çako, garantoi se policia nuk do të lejojë asnjë paligjshmëri gjatë procesit zgjedhor.

“Policia e Shtetit nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë e politizuar. Të gjithë punonjësit e policisë, nëse do të tentojnë të shkelin ligjin, do të përballen me të”.

Top Channel