Basha, apel Ramës: Dorëhiqu dhe hapu rrugën zgjedhjeve të lira

20/03/2017 12:00

Lulzim Basha ishte frymëzuar nga publicisti Aurel Plasari për t’i kthyer përgjigje vendosmërisë së kryeministrit Rama për të bërë zgjedhje pa opozitën. Por, Basha nuk doli në të njëjtin konkluzion.

“E pra, përgjigjen më të mirë ia dha një nga gjigandët e mendimit intelektual, Aurel Plasari, kur i tha: ‘Mos mor djalë se do të përfundosh si Ducja’. Edi Rama, ta dish se jemi këtu për të të shpëtuar lëkurën që të mos përfundosh si Ducja”, deklaroi Basha.

Megjithëse deri tani nuk ka ndryshuar asgjë në skenën politike, kreu i opozitës u shfaq i sigurtë në realizimin e qëllimit.

“Edi Rama, ti je i ikur. Je i ikur. Misioni ynë, këta misionarë këtu, janë mbi të gjitha misionarë të paqes, sepse ne duam që ikja jote të ketë sa më pak kosto për Shqipërinë dhe për shqiptarët e thjeshtë”, tha Basha.

Në ditën e 31-të të protestës, Basha riktheu në vëmendje qëndrimin e opozitës ndaj zgjedhjeve të 18 qershorit.

“Zgjedhje pa garantuar votën e lirë të çdo qytetari shqiptar ne nuk do të lejojmë. Nuk do të ketë zgjedhje fasadë. Ndaj, bëhu i zgjuar, jep dorëheqjen, hap rrugën për qeveri teknike dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shtoi kreu i opozitës duke iu drejtuar kryeministrit.

Top Channel