Rama: S’do ketë qeveri teknike. Dialog me PD për garantimin e zgjedhjeve

19/03/2017 00:00

Kryeministri Rama përjashtoi çdo mundësi për krijimin e një qeverie teknike, duke deklaruar se kontrata që ka me qytetarët përfundon më 18 qershor.

“Opozita mund ta kërkojë qeverinë teknike gjithë ditën dhe qeverinë teknike gjithë natën, por s’mund t’ia imponojë këto kërkesa qeverisë në asnjë vend të botës ku vendos vullneti popullor me votë. Prandaj me gjithë respektin për kërkesën e opozitës për qeveri teknike apo teknika të reja qeverisje kjo qeveri do të vazhdojë punën deri në afatin e fundit të kontratës me popullin shqiptar”, tha Rama.

Kryeministri shprehu gatishmërinë për dialog me opozitën për reformën zgjedhore.

“Jam dhe do të jem i gatshëm çdo ditë çdo orë, edhe në çadër po të duan të takohemi dhe të dialogojmë me opozitën, për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor dhe në çdo kod apo ligj tjetër që PD mund të kërkojë për t’u ndjerë sa më e garantuar në zgjedhje, të votojmë pa rezervë  çdo gjë që nuk bie ndesh me ndërhyrje në Kodin Zgjedhor dhe në çdo kod tjetër që nuk bie ndesh me propozimet e OSBE-ODIHR, apo për çdo institucion qe ajo dëshiron”, u shpreh ai.

Kryeministri u shpreh i bindur se opozita do të kthehet në parlament për të votuar Vetting-un dhe se do të marrë pjesë në zgjedhje, por nëse ajo bojkoton kjo do jetë e dhimbshme thotë Rama.

“Për të mos lënë asnjë ekuivok…në rast të kundërt më dhemb shumë, por nuk më tremb, ne nuk do t’i bashkohemi kurrë një mungese respekti për popullin do të respektojmë datën e zgjedhjeve deri në atë datë do të angazhohemi në fushate për sa shumë kemi bërë, kemi për të bërë dhe kanë për të humbur shqiptarët nëse kthehemi mbrapa”, tha Rama.

Top Channel