
Ish-trajneri i kombëtares italiane të futbollit ishte në radarin e kampionëve të Anglisë, por nuk pranoi të ulej në një pankinë shpërthyese si ajo e Leicester City, në fundin e këtij sezoni.
Cezare Prandelli zbuloi se e refuzoi stolin e “dhelprave” pas shkarkimit të Claudio Ranierit, me vetëdijen se do ta priste një malore e vështirë në vendin e lënë bosh nga bashkëkombasi i tij.
Ranieri u shkarkua nga Leicester City në shkurt, vetëm 9 muaj pasi udhëhoqi ekipin drejt një titulli të pabesueshëm kampion në Premier Leaguen angleze. Drejtuesit e klubit menduan menjëherë për Prandellin, me këtë të fundit të lirë pas largimit nga pankina e Valencias pas vetëm 10 ndeshjesh.
“Trajnerët e rinj duhet të studiojnë seriozisht situatën e krijuar te Leicester City, pasi në 3 muaj nuk mund të shpërbëhesh në këtë formë. Skuadra dha shumë pak në fushë dhe klubi e drejtuesit e shkarkuan të gjithë përgjegjësinë mbi supet e trajnerit, padrejtësisht. Unë u kontaktova nga Leicester, por refuzova menjëherë. Nuk mund të shkosh në një klub të tillë, pasi ke parë sesi e trajtuan Ranierin”, tha Cezare Prandelli.
Që prej largimit të Ranierit, Leicester City ka fituar 4 ndeshje me trajnerin e përkohshëm Craig Shakespeare.
Top Channel