Italia, me risi ndaj Shqipërisë, publikon listën

18/03/2017 00:00

Gjashtë ditë para ndeshjes me Shqipërinë, trajneri i Italisë Giampiero Ventura ka publikuar listën me 25 futbollistë që do të grumbullojë për këtë takim eliminator të Botërorit.

Tre futbollistë do të grumbullohen për herë të parë nga kombëtarja italiane për të qenë të gatshëm për takimin e 24 marsit që do të zhvillohet në Palermo.

Portieri i Spalit, Alex Meret, mbrojtësi i Atalantës, Leonardo Spinazzola dhe ai i Interit, Danilo D’Ambrosio janë tre risitë e Italisë për sfidën kualifikuese të 24 marsit ndaj Shqipërisë në Palermo.

Nuk mungojnë surprizat në listën e Ventura-s me mesfushorin e Juventusit, Claudio Marchisio që është lënë jashtë për çështje teknike, ndërkohë që për arsye dëmtimi nuk është grumbulluar mbrojtësi i bardhezinjëve Giorgio Chiellini.

Për sfidën ndaj Shqipërisë, Ventura ka rikthyer në kombëtaren italiane Manolo Gabbiaddinin, i cili po shkëlqen gjatë kësaj periudhe me fanellën e Southampton në Premier League.  Nuk mund të mungonte kurrsesi në listën e të grumbulluarve, Lorenzo Insigne njeriu që po udhëheq Napolin me paraqitjet e tij fantastike në muajt e fundit. Ventura ka grumbulluar edhe mesfushorin e Interit Roberto Gagliardini ndërkohë që nga Juventusi janë thirrur 4 lojtarë, Buffon, Barzagli, Rugani e Bonucci.

Në portë, përveç Buffon e Donurummës spikat grumbullimi i Alex Meret portierit të Spal-it në Serinë B, skuadër që në mënyrë surprizë kryeson renditjen në këtë kampionat. Në mbrojtje emra të tjerë të rëndësishëm janë Romagnoli, Astori, Darmian e De Scglio. Në mesfushë përvec Gagliardinit, Ventura ka besuar te përvoja e Daniele De Rossit, klasi i Marco Verrattit dhe forca e Marco Parolos. Te lojtarët e krahut Insigne është një nga ata që spikasin më shumë sepse janë grumbulluar edhe Candreva, Bernardeschi e Sansone. Në sulm ndërkohë të gjithë sytë do të jenë te Belotti e Immobile dy nga sulmuesit italianë më rezultativë në Serinë A, gjatë këtij sezoni, ndërkohë që përveç Gabbiaddinit, Ventura ka grumbulluar edhe lojtarin e Interit, Eder.

Top Channel