Icardi-Belotti, kush do fitojë?

18/03/2017 00:00

Torino do të presë Interin, sot, në orën 18:30, në një ndeshje të rëndësishme, veçanërisht për zikaltërit, të cilët synojnë të arrijnë vendin e tretë.

Inter vjen në këtë takim pas dy fitoresh spektakolare, 1-5 në Cagliari dhe 7-1 ndaj Atalantës, ndërsa Torino është një ekip mjaft i fortë në fushën e vet, ku ka humbur vetëm ndeshjen ndaj kryesuesve të Juventus.

Megjithatë, një sfidë brenda sfidës, mjaft e rëndësishme, do të jetë edhe ajo midis dy sulmuesve kryesorë të ekipeve, Belotti dhe Icardi.

Italiani i Torinos kryeson listën e gol-shënuesve, me 22 gola të shënuar në 24 takime të luajtura, Icardi është i dyti, me 20 gola në 26 ndeshje.

Duket qartë që Belotti ka një mesatare më të mirë goli, por argjentinasi i Interit ka punuar më mirë për skuadrën, pasi numëron plot tetë asiste për gol, kundrejt 3 të italianit.

“Icardi i ka të gjitha mundësitë që të shpallet sërish krye gol-shënues. Është një sulmues i fortë, që di të vihet edhe në shërbim të ekipit”, do të shprehej trajneri Pioli, në konferencën për  shtyp.

Megjithatë, shifrat për gola të realizuar dhe goditje në portë, flasin dukshëm në favor të italianit, kurse Icardi fiton duelin në distancë për dialogun me ekipin dhe vënien në dispozicion të bashkë-lojtarëve.

Icardi apo Belotti, sfida sapo ka filluar edhe për ta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA