Dhunë dhe pas faljes, jetonte me urdhër mbrojtje por i rrahën dhe fëmijët

18/03/2017 00:00

Dhe pse gjykata kishte vendosur urdhër mbrojtje për ta mbrojtur nga dhuna e bashkëshortit, Havaja e fali dhunuesin e vazhdon të jetojë në të njëjtën shtëpi me të.

Por ajo sërish është dhunuar dhe kësaj radhe 35-vjeçarja ka ardhur në gjykatë për të marrë mbrojtje jo vetëm për vete, por dhe për fëmijët.

“Ku të shkoj, s’kam ku shkoj. Tani erdha për urdhër mbrojtje për fëmijët e mi, mbrëmë tentoi sërish të më rrihte, e njëjta histori prej katër vitesh”, thotë Havaja.

Përveç femrave të dhunuara që strehohen në qendra të posaçme, pjesa më e madhe e tyre vijojnë të bashkëjetojnë me dhunuesin megjithëse gjykata urdhëron distancimin e tij prej më shumë se 500 metra.

“Ky është paradoks, ligji duhet ta rregullojë këtë gjë sepse nuk mund të jetojë edhe dhunuesi edhe viktima në të njëjtën çati, pasi eksperienca tregon çviktimizimin e tyre”, thotë Fabjola Egro, përfaqësuese e “Sot për të ardhmen”.

Kryetarja e gjykatës së Tiranës Enkelejdi Hajro shprehet e shqetësuar edhe për një fakt tjetër: “Unë shoh statistikat dhe vërej se për 3-mujorin e parë të 2016 nga 165 janë pranuar 45, dhe 105 janë pushuar. Për 2017 janë pranuar 41 kërkesa dhe pushuar 134 kërkesa”.

Por Egro e cila trajton viktimat e dhunës në familje tregon arsyet se përse gratë tërhiqen nga kërkesa për të marrë urdhër mbrojtje.

“Sepse ndihen të kërcënuar sepse kanë frikë, sepse janë të pambrojtura ekonomikisht, ndaj dhe duhet orientim për fuqizimin e tyre, për ti riintegruar në kurse profesionale”, thotë Fabjola.

Për shkak se mjaft gra nën urdhër mbrojtje janë vrarë nga partnerët dhunues, aktualisht ligji për mbrojtjen nga dhuna në familje është në proces diskutimesh për tu ndryshuar.

Top Channel