Një raport i ri, por me shifra të vjetra, ka qenë mjaft që LSI-ja t’i kthehet edhe një herë, megjithëse në ikje, ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Raporti i DASH pasqyronte trendin në rritje të hashashit vitin e kaluar, por në shifra i referohej atyre zyrtare të policisë dhe Guardia di Finanza.

Por, Luan Rama, kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, quajti spektakle televizive me aksione të policisë, ndërsa, siç tha ai, duhen aksione konkrete.

“Më e pakta kanë munguar eficenca e veprimit të organizuar shtetëror dhe të agjencive të zbatimit të ligjit për të mos lejuar krijimin e këtij realiteti”, tha Luan Rama.

E ashpër ishte përgjigjja e Saimir Tahirit. Ministri në detyrë tregoi shifrat e luftës kundër hashashit, raportet e Guardia di Finanza dhe falenderoi edhe deputetin Spartak Braho, por reagimin e hidhët e ruajti për paraardhësin e tij në këtë post 12 vjet më parë. Duke i vënë në një kamp reagimet e çadrës dhe të kryetarit të grupit të LSI-së dhe duke ironizuar indirekt me emrin e Luan Ramës, Tahiri e cilësoi: “Hiena të dala nga oborri i PS-së dhe që dëshirojnë dështimin e saj, por që përgjigjen e kanë marrë nga puna e thuajse 4 viteve të fundit dhe në 18 qershor do e marrin në Tiranë e gjithë Shqipërinë. Uroj që LSI të ndihet krenare që ka nderin e madh të jetë aleate e PS-së në këto kohë reformash të mëdha për vendin”.

Por, më shumë sesa raporti i DASH-it, reagimi i LSI-së vjen pas deklaratës së Tahirit një ditë më parë, kur pa fshehur se kujt po i drejtohej, ai i tha LSI-së se kush do të ishte kryeministër edhe katër vjet: “Ne kemi një kampion skuadre. Ai është lideri ynë Edi Rama, kryeministri i vendit dhe për ata që nuk e kanë marrë vesh, kryeministër i vendit edhe për 4 vitet e ardhshme”.

Top Channel