Shqipëria virtuale, Brenda vitit “turizëm” on line për bukuritë e vendit

17/03/2017 00:00

Përpara se të vendosin Shqipërinë në listën e destinacioneve turistike për tu vizituar, turistët do të kenë mundësinë të njihen me natyrën shqiptare, historinë apo stilin e jetesës në mënyrë virtuale.

Në faqen zyrtare Albania.Al, vizitorët do të gjejnë pamje 360 gradë, video dhe informacione që të krijojnë ndjesinë se gjendesh vërtetë aty.

“Ju japim një shembull, demonstrues. Vendosim të vijmë në Tiranë. E shohim nga lart, duket piramida dhe një perëndim shumë i bukur. Duam të kalojmë një mbrëmje kështu që kërkojmë për një bar. Hyjmë, shohim atmosferën, kemi mundësinë të shohim edhe përtej banakut që mbase në realitet nuk mund të bëhet, shohim që ka shumë rum, ky vend na pëlqen dhe me siguri do të vijmë ta vizitojmë. Duke u rikthyer sërish tek pamja fillestare gjejmë kishën ortodokse, hyjmë brenda dhe i hedhim një vështrim, gjejmë edhe informacionin përkatës për këtë kishë që në versionin përfundimtar të faqes do të jetë në tre gjuhë, italisht, anglisht dhe shqip. Pastaj kemi uri, gjejmë një restorant, shohim një kopsht të bukur këtu dhe në një ditë pranvere mund të hamë jashtë. Informacionet do të tregojnë specialitetet dhe vlerësimet e qytetarëve të lëna për këtë restorant në Trip Advisor. Vjen mbrëmja dhe jemi të lodhur kështu që shohim një hostel. Shohim dhomat e gjumit, duket mirë, i hedhim një sy banjos, me këtë mënyrë arrijmë të shohim gjithçka. Vizitori mund të bëjë nga kjo faqe menjëherë prenotimin. Zgjohemi në mëngjes dhe vendosim të bëjmë turizëm kulturor. Shkojmë në Berat. Me një fluturim gjendemi mbi kështjellë. Mjafton të klikojmë këtu dhe gjejmë të gjitha informacionet historike. Kemi mundësinë të zhvendosemi edhe në diçka më tipike që është prodhimi i verës në një kantinë lokale. Kemi mundësinë që të shohim edhe video shpjeguese”, shprehet Federico Debetto, specialist përmbajtje.

Shqipëria 360 gradë pritet të jetë gati brenda kësaj vere.

Top Channel