Top Story, protesta e opozitës dhe mazhoranca

16/03/2017 00:00

Opozita është duke mbushur muajin që proteston në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe këmbëngul në kërkesat e saj për zgjedhjet e 18 qershorit.

Që prej 18 shkurtit, kur nisi protesta, kanë ndodhur disa ndryshime, më i fundit ai i ndodhur para pak ditësh; ndryshimet në qeveri. Por çfarë do të ndodhë? A do t’i qëndrojë opozita vendimit për të bojkotuar zgjedhjet e 18 qershorit  apo jo?

Për këto dhe të tjera pyetje u diskutua mbrëmjen e kësaj të enjteje në Top Storyn e Sokol Ballës me analistët Arjan Vasjari, Skënder Minxhozi, Alfred Lela, Eduard Zaloshnja, Mustafa Nano dhe Mero Baze.

Ky i fundit komentoi largimin e Tahirit nga kabineti qeveritar.

“Largimi i Tahirit, për mendimin tim është për arsye të përziera. Ndryshimet në qeveri për mua janë lëvizje të Ramës të bëra në konsultim me faktorët ndërkombëtarë. Arsyeja që vetëm më duhen për fushatë, është e sforcuar për mua dhe duket shumë e thjeshtë. Unë mendoj që lidhet edhe me protestën e opozitës, por jo si koncesion për opozitën, por si paraprirje që të mos e dëgjojë këtë nga ndërkombëtarët”, deklaroi Mero Baze.

Arjan Vasjari thotë se me protestën opozita po dëmton vetveten dhe po forcon mazhorancën.

“Për mendimin tim, çadra ka patur rezultate negative për opozitën, ndërkohë që mazhornaca ka ardhur duke u kompaktësuar gjatë kësaj periudhe”, deklaroi ai.

Skënder Minxhozi përjashtoi mundësinë që largimi i Tahirit nga ana e Kryeministrit u bë si kërkesë e Ilir Metës.

“Nëse Edi Rama do të donte t’ja jepte Ilir Metës Saimir Tahirin, kjo nuk ishte koha e duhur për ta bërë. Për mua, nëse do të ishte vetëm trysnia e LSI-së, Rama nuk do të shkundte gjithë skeletin e Qeverisë”, deklaroi ai.

Minxhozi shtoi se Ilir Meta në mënyrë të tërthortë po kontribuon në vazhdimin e protestës së opozitës dhe dha edhe arsyet për këtë.

“Me shpresë që ndërrimi i ministrave, çadrat dhe presioni i opozitës, që kur të hyjë në negociata me Ramën për koalicion, do të ketë përballë një Kryeministër më të dobët”, tha Minxhozi.

Mustafa Nano la të kuptohej se largimi i Tahirit ishte sakrifica për të ruajtur koalicionin me LSI-në.

“Për herë të parë Ramën e pamë të sigurtë në këtë studio për koalicionin. Gjithmonë herët e tjera ka qenë i pasigurtë dhe e ka shmangur përgjigjjen e drejtpërdrejtë. Nuk besoj se Meta është shtangur kur ka marrë vesh ndryshimet në Qeveri dhe të pranojmë që ka një klimë tjetër mes partive në mazhorancë”, tha ai.

Alfred Lela u shpreh mosbesues në lidhje me vijimin e koalicionit PS-LSI.

“Gjestin e 10 gishtave, unë e marr po aq të vërtetë sa edhe Saimir Tahiri iku se do të angazhohej në fushatë. Kjo është propagandë politike dhe asnjëri nuk duhet t’i marrë si për të vërteta këto”, thotë ai.

Top Channel