Raporti i DASH: Kanabisi u shtua në 2016; problem edhe pastrimi i parave

16/03/2017 00:00

Departamenti Amerikan i Shtetit e rendit Shqipërinë tek vendet prodhuese të drogës dhe ndër vendet problematike për pastrimin e parave.

Në raportin e tij, Departamenti i Shtetit, në vëllimin e narkotikëve, flet për raportimet e qeverisë shqiptare për shkatërrimin e plantacioneve dhe arrestimet që janë bërë në kuadër të luftës kundër narkotikëve në përgjatë 2016-s.

Por DASH flet edhe për rritjen e kultivimit të kanabisit. “Autoritetet shqiptare kanë bashkëpunuar me ato italiane për mbikëqyrjen e territorit në lidhje me aksionet antitrafik”, thotë DASH.

Shqipëria klasifikohet si një vend ku prodhohet vetëm kanabis, duke e përjashtuar vendin tonë nga listat e vendeve prodhuese të drogërave të forta dhe lëndëve sintetike me të cilat përziehen ato. 

Në dokument vihet në dukje se shteti shqiptar nuk ka të dhëna zyrtare për përhapjen e përdorimit të drogës. Krahas hashashit, përdorimi i drogës nuk cilësohet si i zakonshëm në Shqipëri, sipas DASH.

Në vijim, raporti citon të dhënat e policisë shqiptare për kapjen e drogës dhe arrestimet e bëra, por edhe çështjet e shqyrtuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe gjykatat.

Ndërkohë, evidentohet se fenomeni i mbjelljes së kanabisit është shtuar gjatë 2016.  Shteti shqiptar, sipas raportit, ka zhvilluar 31 operacione për përforcimin e ligjit në këtë kuadër në bashkëpunim me agjencitë e huaja, ku theksohet se SHBA vijon të ofrojë ndihmën e saj për menaxhimin e kufijve me qëllim identifikimin dhe kapjen e trafikantëve.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit flet edhe për pastrimin e parave.Vendi ynë, thuhet në dokument, mbetet i rrezikuar nga fenomeni i pastrimit të parave, si pasojë e korrupsionit në nivele të larta dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare.

Krimet që gjenerojnë pjesën më të madhe të parave të pista, sipas raportit, janë trafiku i drogës, i qënieve njerëzore, kontrabanda dhe evazioni fiskal.

Shqipëria në syrin e Departmanetit Amerikan të Shtetit mbetet një vend i lëhte ku mund të pastrohen paratë e jashtëligjshme. Po ku investohen këto para? Pasuritë e paluajtshme, sidomos në zonat bregdetare dhe lojërat e fatit, duket se janë shënjestra e preferuar e kriminelëve me para.

Shqipëria, sipas raportit, ka nevojë të forcojë zbatimin e ligjit në luftën ndaj pastrimit të parave, ndërsa policia dhe Prokuroria duhet të kenë një bashkëpunim më të mirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA