Paralajmërim në Samitin e Sarajevës, Hahn: Mos luani me zjarrin!

16/03/2017 00:00

Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn u bëri thirrje vendeve të Ballkanit që të mos luajnë me zjarrin, por të përfitojnë nga ripërtëritja e angazhimit të BE-së ndaj rajonit.

Këto komente, ai i bëri në Samitin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë. Sipas Hahn, i cituar nga “Zëri i Amerikës”, vendet e bllokut janë të përkushtuara për integrimin e Ballkanit, por  rajoni nuk duhet të lejojë pengesa në përparimin drejt këtij qëllimi.

Komisioneri për Zgjerimin tha se takimi, ku morën pjesë kryeministrat e Shqipërisë, Bonje-Hercegovinës, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, u zhvillua në një periudhë krizash të brendshme politike që po rrezikojnë të shkaktojnë tensione të rënda etnike.

Në të njëjtën kohë, sipas tij shihen edhe ndërhyrje të pashembullta nga Lindja, ndërsa nuk është e qartë se cila është qasja amerikane ndaj Ballkanit.

“Edhe njëherë i sigurova kryeministrat për seriozitetin dhe interesin e fuqishëm të Bashkimit Europian për të punuar në integrimin e mëtejshëm të rajonit, drejt anëtarësimit në të ardhmen të të gjitha vendeve”, ishin fjalët e Hahn, që mbështeti idetë e kryeministrave ballkanik për një treg të përbashkët rajonal, që do të shmangte pengesat e do të lejonte lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve.

Kjo, siç thotë komisioneri, do të lejonte krijimin e mbi 80 mijë vendeve të punës deri në vitin 2025.

Top Channel