Pakon për Financat gjermane e dërguan “celulat e zjarrit”

16/03/2017 00:00

Pakoja e dyshimtë që është gjetur mëngjesin e së mërkurës në Ministrisë federale të Financave në Berlin, me marrës vet ministrin gjerman Wolfgang Schauble, ka pasur dërgues sipas adresës së shkruar, zv.kryetarin e “Demokracisë së Re”, Adonis Georgiadis.

Vet politikani grek, që është lajmëruar nga ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Toskas, me një postim në “Twitter” ka pohuar:

“Për fat të keq është e vërtetë dhe nuk është shaka. Shënjestrimi im nga terroristët është i vazhdueshëm”.

Policia greke është informuar se pakoja në fjalë, që përmbante një mekanizëm shkrepës dhe lëndë eksplozive të fuqishme, është postuar nga një zyrë poste e kryeqytetit grek, fakt që vërtetohet nga pullat dhe vulat zyrtare.

Antiterrori grek ka kërkuar prej organeve gjermane më shumë informacion, në veçanti për instalimet elektrike të mekanizmit shpërthyes dhe hollësi të tjera që mund të ndihmojnë në hetimin e çështjes dhe gjetjen e autorëve, që kanë përdorur emrin e politikanit grek.

Në të njëjtën kohë kanë nisur hetimet për të përcaktuar nga cila postë është postuar pakoja dhe si ka kaluar nga kontrolli në aeroport, kur është dërguar në Gjermani.

Vlen të përmendim se, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, te libraria në kryeqytetin grek, që ka në pronësi zv.kryetarin e “Demokracisë së Re”, Adonis Georgiadis, në emrin e të cilit është dërguar pakoja-bombë, ka shpërthyer një bombë artizanale pa shkaktuar dëme të mëdha.

Edhe në të kaluarën, grupi terrorist grek “Komploti i celulave të zjarrit” ka dërguar pako-bombë në zyrën e Kancelares Merkel në Berlin, te zyra e ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi, ndërsa janë zbuluar në aeroport edhe pako për zyrtarë të tjerë europianë.

Top Channel