Nishani takohet me Ivanov: Shqiptarët, faktor shtetformues

16/03/2017 00:00

Kreu i shtetit shqiptar shfrytëzoi viziten e tij në Baku të Azerbajxhanit për samitin e 5-të global, për t’i shprehur qëndrimet e Tiranës, Presidentit maqedonas Ivanov, se Shqiperia kërkon të ketë marrëdhenie të mira me të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë Maqedoninë.

Lidhur me situatën paszgjedhore në Shkup, Nishani ka shprehur shqetësimin për marrëdhëniet politike dhe ndëretnike atje, mbi të gjitha për zhvendosjen e krizës nga konteksti politik, në atë etnik.

Nishani i ka thënë Ivanovit në bisedën midis të dyve se Shqipëria nuk ka ndërhyrë dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të një shteti tjetër, për më tepër në atë të vendeve fqinje.

Qëndrimi i kreut të shtetit vjen pas refuzimit të asaj që Ivanov i bëri  platformës shqiptare dhe që nuk pranoi të mandatonte Zoran Zaev, si Kryeministër.

Sipas njoftimit të Presidencës, Nishani i ka theksuar homologut të tij faktin se shqiptarët janë faktor shtetformues dhe se Shqipëria do t’i mbështesë në kërkesat e tyre legjitime për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Më herët, referuar situatës në Maqedoni, Ivanov akuzoi faktorin ndërkombetar se i ka cënuar vendit të tij të drejtën e identitetit me ndërhyrjet në politikën e brendshme.

Maqedonia, tha Ivanov, është i vetmi shtet anëtar në OKB, që nuk gezon të drejtën të ketë identitetin e saj. 

Top Channel