LSI bën opozitën, voton kundër shkarkimit të Shehit

16/03/2017 00:00

Bashkëkryetarit të koalicionit qeverisës dhe kryetar i Kuvendit, Ilir Meta, iu desh të shtynte mbi 60 minuta votimin për shkarkimin e kreut të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Enkelejda Shehi, pasi nuk ishte numri i mjaftueshëm i deputetëve për ta realizuar këtë votim.

Më në fund është arritur kuorumi me 75 deputetë në sallë, falë deputetëve të LSI-së që iu përgjigjën shefit të tyre.

Por votimi ka rezultuar një surprize për aleatin e madh në qeveri, socialistët. Deputetët e Edi Ramës kanë siguruar vetëm 55 vota për shkarkimin e Shehit. Pasi kryetari Meta ftoi 75 deputetët e pranishëm në votim të fshehtë, rezultuan vetëm 55 vota pro shkarkimit të zonjës Shehi dhe 20 kundër, që duket të jenë të LSI-së. Ata e pranuan edhe publikisht këtë.

TCH: Zoti Kadeli, pse votuat kundër?
Deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli: E kam dhënë arsyetimin tim në mbledhjen e komisionit.
TCH: Mos po rrezikoni mazhorancën?
Gjovalin Kadeli: Jo, në asnjë mënyrë. Mazhoranca funksionon mrekullisht.
TCH: Po 20 votat kundër çfarë tregojnë?
Gjovalin Kadeli: E kuptoni që mazhoranca funksionon apo jo? Për një projektligje e ke fjalën?
TCH: Jo, për një vendim të rëndësishëm.

TCH: Zoti Braho, pse u votua kundër për shkarkimin e zonjës Shehi?
Spartak Braho: Ku e dini ju?
TCH: Mungonte opozita dhe 20 vota ishin kundër.
Spartak Braho: Këto janë kaq vogëlsira, sa nuk ja vlen.

Të befasuar, socialistët publikisht shprehën dyshime se bëhej fjalë në bllok kundër të partnerëve të tyre në koalicion nga LSI-ja.

Ervin Bushati: Edhe në komision kanë qenë kundër. Është mendimi i tyre.

TCH: Zoti Braçe, pse votoi kundër LSI-ja?
Erion Braçe: Unë jam në PS.
TCH: Ishin 20 vota kundër, nuk i bindët dot?
Erion Braçe: Unë jam deputet i PS, drejtoj komisionin e Ekonomisë. Për mua mjafton të zbatohet rregullorja e Kuvendit.

Arben Ahmetaj: Ishte votim i fshehtë dhe asnjëherë nuk mund ta marrësh vesh se kush ka votuar pro apo kundër. Nuk e di të kujt janë votat kundër.

Por në fund të gjithë janë të kënaqur, sidomos PS-ja që kishte kërkuar shkarkimin e zonjës Shehi. Me sa duket me opozitën në Kuvend, opozita pozitive që po bën LSI-ja, është më e pranueshme për qeverinë se sa çadra e Lulzim Bashës.

Top Channel