Integrimi, Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor takohen në Sarajevë

16/03/2017 00:00

Samiti i Sarajevës bëri bashkë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë integrimin në Bashkimin Europian. Në këtë takim, pjesë e nismës europiane për rajonin, morën pjesë kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Në Samit u diskutua mbi proceset eurointegruese të vendeve të rajonit, bashkëpunimin ndërmjet tyre, si dhe për progresin e bashkëpunimit rajonal përmes projekteve të ndryshme, në ekonomi, transport, energji, infrastrukturë.

Samiti mbahet në kuadër të përgatitjeve për Samitin e radhës të përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE-së si vazhdimësi e Procesit të Berlinit, i cili pas Berlinit, Vjenës dhe Parisit, sivjet do të mbahet në Trieste të Italisë.

Në përfundim të Samitit, në një deklaratë të përbashkët, pjesëmarrësit dakortësuan mbi bashkëpunimin e mëtejshëm ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mundësitë e një tregu të përbashkët, që përfshin qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, lëvizjen e lirë të forcës së kualifikuar të punës dhe një hapësirë dinamike investimesh.

Gjithashtu në Samit u ra dakord për nxitjen në mënyrë aktive të biznesit dhe promovimin e investimeve në nivelin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Pjesëmarrësit propozuan që përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse së bashku me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal dhe me mbështetjen e Komisionit Europian, të fillojnë punën për të përgatitur një propozim për një qasje të përbashkët për një bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet nismave të ndryshme dhe t’i prezantojnë ato në Samitin e Triestes.

Top Channel