Fatet e aleancës, socialistët të bindur. LSI: Vendosin forumet

16/03/2017 00:00

Kur do ta shuajnë ankthin shqiptarët, nëse LSI dhe Partia Socialiste do të rinovojnë “martesën” e lidhur më 1 prill të vitit 2013? Përveç kryeministrit Rama, askush nuk shfaq siguri maksimale.

Sokol Balla: Nga një deri në 10, sa besoni se kjo kontratë do të rinovohet?

Kryeministri Edi Rama: Meqë ma bëre kështu pyetjen (tregon me gishta) 10.

Ministrat Gjosha e Panariti flasin për Metën kryeministër dhe LSI-në parti e parë më 18 qershor, ndërsa deputetët Spahiu, Braho dhe Tavo ia lënë vendimin për rinovimin e koalicionit aktual me zotin Rama, forumeve të LSI-së.

Partia e Metës duhet të vendosë për fatin e koalicionit, ose daljen të vetëm para shqiptarëve, deri më 18 prill, kur mbaron edhe afati ligjor për regjistrimin zyrtar të koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Ne presim përmbushjen e kontratës së 1 prillit të 2013-s, e më pas do të vendosin strukturat nëse do të vijojë i njëjti koalicion”, thotë deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu.

“Ende nuk ka një vendim të forumeve për koalicionin e ri të LSI-së me PS-në. Nuk e di as nëse LSI-ja do të kërkojë presidentin në kuadër të marrëveshjes. Megjithatë, vendimi i forumeve do të merret së shpejti”, thotë anëtari tjetër i LSI-së i dalë deputet nga listat e PS-së, Spartak Braho.

“Kur të vijë momenti i duhur do ta merrni vesh”, mjaftohet të thotë Vangjel Tavo.

Pavarësisht se aleatët aktualë strategjikë të qeverisë “Rama” nga radhët e LSI-së nuk e kanë ndarë mendjen ende sesi do të paraqiten përpara kutive të votimit më 18 qershor, është nënkryetari i deputetëve socialistë, Taulant Balla, i cili përsërit ftesën.

“Oferta e bërë publike nga Partia Socialiste në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare tonën, drejtuar Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe anëtarëve të tjerë të Aleancës për Shqipërinë Europiane, është ende e vlefshme”, theksoi Balla.

Top Channel