Gjashtë senatorë amerikanë i kanë kërkuar përmes një letre Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, të hetojë ndërhyrjen e diplomatëve të administratës “Obama” në situatën e brendshme politike të Maqedonisë, duke i kërkuar atij të ndalë praktikën e financimit të programeve të OJF-ve të kryesurara nga Fondancioni i Shoqërisë së Hapur të George Sorosit.

Letra vjen pasi 7 pjesëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve kërkuan gjithashtu hetimin e granteve të Ambasades amerikane dhe USAID-it në Maqedoni, si dhe shkarkimin e ambasadorit Jess Baily.

“Siç mund të jeni në dijeni, Maqedonia gjendet përballë sfidës për të krijuar koalicionin qeveritar, pas zgjedhjeve të mbajtura në dhjetor të vitit 2016. Fatkeqësisht kemi informacione të besueshme se gjatë viteve të fundit, misioni amerikan në Shkup ka ndërhyrë në mënyrë aktive në proceset politike, ashtu si dhe në formësimin e ambientit mediatik dhe shoqërisë civile, shpesh duke favorizuar grupimet e majta politike”, pohojnë senatorët, që i cilësojnë si tepër shqetësuese dhe problematike këto raportime.

“Shumë letra kanë mbërritur në adresë të ambasadorit Baily, përmes të cilave është kërkuar llogari mbi rolin që ka misioni amerikan në shpërndarjen e ndihmave në Maqedoni, në situatën e trazuar politike të këtij vendi, e në formësimin e ambientit mediatik e të shoqërisë civile. Përgjigjet e këtyre letrave nuk e kanë shuar shqetësimin tonë, prandaj ju kërkojmë të shfrytëzoni autoritetin tuaj për të hetuar pretendimet”, vijon më tej letra.

Senatorët e vënë theksin te nevoja për të vlerësuar sesi po përdoreshin paratë e taksapaguesve amerikanë, në mënyrë që të ndërpriten aktivitetet që nxisin paqëndrueshmëri politike, që shkelin sovranitetin territorial, e që minojnë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të ndërtuar raporte frytdhënëse ndërkombëtare.

Letra është firmosur nga senatorët republikanë Mike Lee, Ted Cruz, Tom Tillis, James Inhofe, David Perdue dhe Bill Cassidy.

Top Channel