Tahiri: Gërdeci, ende nuk ka drejtësi

15/03/2017 00:00

Për ministrin e Brendshëm në largim, Saimir Tahiri, tragjedia e Gërdecit është një pasqyrë e sistemit të drejtësisë në vend. Tahiri shfrytëzoi një tryezë të forumit civil, për të rikthyer në vëmendje tragjedinë e 9 vitëve më parë ku humbën jetën 26 persona.

“Sot është një ndër ditët, ndoshta më alarmante që na kujton ne publikisht dhe mbi të gjitha çdo qytetari padrejtësinë e madhe që bëhet dyerve të gjykatave. Sot ende nuk ka drejtësi, madje disa nga autorët janë ende shfaqur publikisht dhe guxojnë bëjnë moral publik lidhur me ç’është Shqipëria sot dhe ç’duhet të bëhet nesër”, tha z. Tahiri.

Por edhe pse tha se qeveria dhe kryeministri janë të angazhuar për të bërë drejtësinë që duhet, Saimir Tahiri shprehu edhe një reflektim personal.

“Unë kam mbajtur detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe edhe në këtë cilësi më duhet të kërkojë një ndjesë personale edhe në emër të detyrës që kam mbajtur për gjithçka nuk kemi bërë dot në raport me ata që shkaktuan tragjedinë e Gërdecit e që sot janë të lirë”, tha ai.

Top Channel