Meta-Lohela, intensifikim të marrëdhënieve me Finlandën

15/03/2017 00:00

Kreu i Kuvendit Ilir Meta është takuar me homologen finlandeze Maria Lohela gjatë vizitës së tij në Helsinki.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e shkëmbimeve ndërparlamentare përmes grupeve të miqësisë dhe komisioneve reciproke parlamentare.

Gjithashtu u theksua një bashkëpunim i ngushtë veçanërisht në fushat e arsimit, turizmit dhe shkëmbimeve ekonomike. Në këtë drejtim u theksua rëndësia e angazhimit të parlamentareve të rinj në të dy vendet duke marrë në konsideratë perspektivën e forcimit të lidhjeve njerëzore mes dy vendeve tona dhe potencialet e bashkëpunimit dypalësh.

“Jemi dy vende të vogla, por kemi besim në të ardhmen, duam të punojmë shumë në mënyrë që shoqëritë tona të zhvillohen dhe të lulëzojnë. Kështu që shoh shumë hapësira për bashkëpunim në fushën e biznesit, politikës apo turizmit. Jam e bindur se Shqipëria është perla e re e Mesdheut”, tha znj. Lohela.

“Ne besojmë shumë në këtë bashkëpunim të shkëlqyer bilateral me Finlandën, sidomos në drejtim të përmirësimit të mëtejshëm të sistemit tonë të edukimit në vend dhe për këtë qëllim kemi vendosur, që në mënyrë të veçantë t’i kushtojmë vëmendje shkëmbimeve midis parlamentarëve të rinj për të përfituar sa më shumë nga eksperienca dhe përvoja e Finlandës në këtë drejtim”, u shpreh z. Meta.

Gjatë qëndrimit në Parlamentin e Finlandës, z. Meta dhe znj. Dade u pritën edhe nga një përfaqësi deputetësh nga fraksionet e ndryshme parlamentare politike dhe nga Grupi Parlamentar i Miqësisë Finlandë-Shqipëri me të cilët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit mes deputetëve dhe komisioneve parlamentare në nivel dypalësh dhe për mbështetjen reciproke në organizatat ndërkombëtare.

Top Channel