Korçë, fermerët kërkojnë kushte për eksportin e qershive

15/03/2017 00:00

Mungesa e kushteve për ambalazhimin e prodhimeve bujqësore ditë pas dite po largon tregëtarët e huaj nga kultivuesit e qershisë dhe e vetmja hapësirë për ta mbetet tregu vendas.

Fermerët e Dvoranit, pak muaj para se të nisë sezoni i prodhimit të qershisë, ngrenë problemin e mungesës së një subjekti që mund të ofrojë ambalazhimin, çka sipas tyre ka bërë që tregtarët nga vendet e Ballkanit, por edhe Europës të tërhiqen nga blerja e këtij prodhimi.

Fermerët apelojnë për zgjidhjen e kësaj situate, pasi, sipas tyre, këtë vit tonelata të tëra me qershi rrezikojnë të hidhen.

Arben Liçollari, kryetar i Shoqatës së Fermerëve, tha: “Në tregun e jashtëm ne nuk krijojmë dot kushtet. Kështu që, ne shesim vetëm për tregun e brendshëm. Mungon infrastruktura që t’i vijë në ndihmë këtij prodhimi. Në të gjithë zonën nuk gjen një makineri për seleksionimin dhe kalibrimin e frutit, që është kushti kryesor për të nxjerr një frut me standarde për eksport”.

Këtë vit në Dvoran do të prodhohen rreth 350 ton qershi ndërsa vitin tjetër kjo sasi do të dyfishohet, pasi dhjetra fermerë janë orientuar drejt mbjelljes së këtij fruti.

Top Channel