Basha për protestën: Kemi mbështetje

15/03/2017 00:00

“Nuk mund të ketë vetëm një qeveri, pa opozitë. Nuk mund të ketë demokraci pa opozitë”. Lulzim Basha citoi kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për t’u treguar mbështetësve të tij se partnerët ndërkombëtarë po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për situatën në Shqipëri.

Basha e përforcoi këtë kur citoi pjesë edhe nga letra që 6 senatorë republikanë i kanë shkruar të martën Sekretarit Amerikan të Shtetit. Ata i kërkojnë të veprojë sepse ekziston shqetësimi i disa liderëve shqiptarë se diplomatë amerikanë apo fondacioni Soros, duke përdorur paratë e taksapaguesve amerikanë, po synojnë t’i japin kryeministrit kontroll mbi drejtësinë.

Senatorët shkruajnë se, “efektet destabilizuese të lëvizjeve të tilla në një shtet anëtar të NATO-s, janë të qarta ashtu si edhe rreziku për një përshkallëzim të mëtejshëm, në një kohë kur Shqipëria pret zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm”.

“Kjo është veçanërisht shqetësuese nën dritën e raporteve ndërkombëtare mbi rritjen e korrupsionit në qeverinë shqiptare dhe rivendosjen e fuqisë së trafikimit të drogës dhe grupeve të krimit të organizuar në këtë shtet”, citon Basha.

Sipas kreut të opozitës, fasada e qeverisë së Edi Ramës ka rënë edhe nga raporti i fundit i Europolit, që e përkufizon Shqipërinë si vendin kryesor të trafikimit të kanabisit në Europë. 

“Nuk ka shqiptar dhe as të huaj që ia do të mirën Shqipërisë, që të heshtë përpara fakteve se kush thotë të vërtetën, Rama apo Basha. Rama e shndërroi Shqipërinë në Kolumbinë e Europës dhe kjo është e mjaftueshme që të largohet një orë e më parë”, tha Basha.

Top Channel